Kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po habitet se çka ka gjetur në ministri.
Duke folur në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën, rreth keqpërdorimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore për trajtim të të sëmurëve jashtë vendit, Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se Latifi po e sheh që ndodhet siç ka thënë, në një llum.
Deputetja e VV-së po ashtu e ka quajtur për keqardhje kërkesën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) që ministri Latifi të dorëhiqet pas raportimit të KOHËS për keqpërdorime të Fondit ndër vite.
“Është për keqardhje një fjali nga KMLDNJ-ja, ministri Latifi është ekspert i njohur dhe njeri i cili nuk vjen nga radhët e LVV-së. Kurti e ka ftuar që të vijë nga një jetë e rregulluar. Ministri Latifi habitet se çka po gjen, e çka ka trashëguar. Ai po e sheh që është në llum. A pret dikush nga ministri që të merret me mikromenaxhim?”, ka thënë ajo.
Mulhaxha-Kollçaku ka shtuar se në krye të sistemit shëndetësor janë ende njerëzit e partive të tjera, të cilët i ka quajtur eksponentë.
Edhe
Haxhiu: Rifat Latifi dha dorëheqje shkaku i korrupsionit
“Drejtor i SHSKUK-së është Valbon Krasniqi i cili është eksponent i lartë i LDK-së. Drejtor në Biokimi është Shemsi Veseli, i zgjedhur tani në kohën tonë, është eksponent i PDK-së. Nuk kanë ardhur aktivistët e LVV-së drejtorë të klinikave, janë të gjithë njerëz që janë me vite në sistem. Nuk i kemi sjellë me vete aktivistët e t’i vëmë në poste”, ka deklaruar ajo.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë po ashtu se duhet të bëhet vlerësimi i performancës së mjekëve, derisa ka shtuar se duhet të zgjerohen shërbimet shëndetësore në Kosovë.