Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës në mbledhjen konstituive të këtij organi me shumicë votash kanë zgjedhur Bexhet Kuçin e AAK-së për kryesues. Në votimin e fshehtë, Kuçi ka marrë besimin e 19 anëtarëve të KK-së për këtë funksion, derisa 12 të tjerë kanë votuar për Selman Kolgecin e LDK-së. Kësisoj Bexhet Kuçi do të vazhdoj kryesimin e KK-së së Suharekës.
Mbledhja konstituive e KK-së së Suharekës të premten është udhëhequr nga anëtari më i moshuar, Shefket Kolgeci, i cili ka uruar që kolegët e tij gjatë këtij mandati të kryejnë detyrën e tyre me ndershmëri dhe në interes të qytetarëve dhe të Komunës. Më pastaj në mënyrë solemne janë betuar këshilltarët e KK-së, si dhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj.
“Betohem se do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i Komunës së Suharekës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë Muharremaj.
Tutje ka pohuar se qytetarët i kanë besuar për të vazhduar rrugëtimin e përbashkët për zhvillimin e Suharekës. “Ky besim vlerësohet dhe nderohet vetëm me punë dhe përkushtim”, ka deklaruar Muharremaj, i cili i ka bërë thirrje anëtarëve të KK-së që të punojnë si një trup i vetëm në shërbim të qytetarëve për të përmirësuar kushtet dhe mirëqenien në këtë komunë. “Bashkë do të punojmë dhe bashkë do ta ndërtojmë komunën tonë”, është shprehur ai.
Pas kësaj është zhvilluar procedura për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së, me ç’rast grupi i këshilltarëve të AAK-së kanë paraqitur kandidaturën e Bexhet Kuçit, përderisa grupi i këshilltarëve të LDK-së ka propozuar Selman Kolgecin si kundërkandidat.
Ndërsa grupi i këshilltarëve të PDK-së ka bërë të ditur se nuk ka kandidat për kryesues të KK-së. LVV-ja gjithashtu ka njoftuar se nuk ka kandidat, por me vërejtjen që në këtë rast do ta mbështesin kandidatin e opozitës. Për dallim prej LVV-së, anëtarja e Nismës Socialdemokrate ka pohuar se ky subjekt nuk propozon ndonjë kandidat, por se do të mbështes pozitën.
Pas votimit të fshehtë të zhvilluar për dy kandidatët e propozuar, Komisioni përkatës ka njoftuar se Bexhet Kuçi i ka marrë 19 vota derisa Selam Kolgeci i ka marrë 12 vota, dhe ka konstatuar se Kuçi është zgjedhur kryesues i KK-së së Suharekës.
Kryesuesi Kuçi ka shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë, duke kërkuar angazhim nga të gjithë të zgjedhurit për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. “Besoj që edhe këtë mandat si kryesues i KK-së bashkë me juve ti çojmë proceset përpara”, ka thënë Kuçi.