Mungesës së ilaçeve në institucionet publike shëndetësore, nuk i shpëtuan as klinikat vitale. Pacientët u detyruan t’i blejnë vetë ato edhe kur u drejtuan për raste emergjente.
Krejt kjo situatë e krijuar prej shumë vjetësh, po vazhdon për shkak të buxhetit jo të mjaftueshëm, raporton KTV.
Zyrtarë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar kanë konfirmuar nëpërmjet një përgjigje zyrtare, se gjendja është e njëjtë edhe në pjesën e parë të këtij viti.
“Sipas të dhënave të siguruara nga përgjegjësit e disa barnatoreve spitalore dhe ata të Barnatores Qendrore të SHSKUK-së, QKUK-ja është e furnizuar me rreth 60% të barnave dhe për 10% më pak me material medicinal. SHSKUK-ja ka dërguar kërkesat sipas nevojave reale, mirëpo, vonesat e furnizimit dhe mungesa e kontratave për disa produkte, ka ndikuar në furnizim jo të kënaqshëm. Tani kemi dorëzuar kërkesat për furnizim për Tremujorin e dytë, por të reviduar në mënyrë që t’i përafrohemi buxhetit në dispozicion”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.
Por, në Ministrinë e Shëndetësisë krejt fajin e hedhin te Ligji i prokurimit. Thonë se i njëjti lejon procedura të zgjatura në përzgjedhjen e operatorëve fitues dhe liferimi i produkteve vonon.
“Ligji i Prokurimit Publik, i cili lejon procedura të zgjatura deri në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë fitues në tender, ashtu edhe të liferimit të produkteve për kompanitë fituese pas lidhjes së kontratave është shumë i pafavorshëm për institucionet shëndetësore, të cilat kanë nevojë për procedura më të shkurtra të furnizimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Së fundmi, OSHP-ja pikërisht për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik që kanë konkurruar në tenderët që shpalli ministria, ka kthyer mbrapsht procese tenderuese që kanë të bëjnë me furnizim me barna e material harxhues.