Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MSh ia bart Odës së Stomatologëve kompetencat e rilicencimit

Prishtinë, 13 korrik - Ministri në detyrë i Shëndetësisë, dr. Imet Rrahmani, i dorëzoi sot kryetarit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, dr. Kujtim Shala, vendimin për bartjen e kompetencave për rilicencim nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK).

Sipas këtij vendimi, procedura për rilicencim të stomatologëve në Kosovë do të fillojë pas valorizimit të Edukimit të vazhduar profesional (EVP) në pajtim me aktet në fuqi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë bartjen e përgjegjësive dhe dokumentacionit për fillimin e procesit të rilicencimit, duke asistuar stafin administrativ.

Ministri Imet Rrahmani tha se me bartjen e kësaj përgjegjësie nga MSh tek OSK, pothuajse po arrihet të përfundohet cikli i bartjes së kompetencave tek odat e profesionistëve shëndetësor.

“Oda e Stomatologëve ka arritur t’i zhvillojë kapacitetet për bartjen e kompetencave të rilicencimit, kështu që me bartjen e kësaj përgjegjësie, i dëshirojmë OSK punë efikase në ushtrimin e përgjegjësive të saj publike”, tha ministri Rrahmani, duke theksuar faktin se MSh do të vazhdojë të bartë përgjegjësitë edhe tek Oda e Mjekëve, duke ushtruar në të njëjtën kohë përgjegjësitë e mbikëqyrjes së odave, sipas obligimeve ligjore.

“Vlerësoj se është bërë punë e madhe në funksionalizimin e odave, pavarësisht se vendosja e afateve në ligj ka qenë si një lloj mbingarkese në këtë proces”, tha ministri Rrahmani.

Edhe MSH-ja tash e dy vjet pa konkurs për specializim të mjekëve Arbëri 2 muaj më parë MSH-ja tash e dy vjet pa konkurs për specializim të mjekëve

Kryetari i OSK, Kujtim Shala, falënderoi Ministrinë për bashkëpunimin në fuqizimin e kapaciteteve të kësaj ode dhe theksoi faktin se kjo odë do të vazhdojë procesin e fuqizimit të saj, për të dhënë kontributin në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ditë më parë Odës së Farmacistëve, Odës së Infermierëve, Odës së Fizioterapeutëve dhe Odës së Stomatologëve i ishin bartur nga MSh edhe kompetencat për akreditimin e programeve të edukimit të vazhduar profesional, derisa kompetencat për edukim të vazhduar profesional dhe çështje etike janë bartur vitin e kaluar.