Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJ: Ndalimi i Islamit për të vizituar Preshevën, mungesë e vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e vlerëson si të ulët, të papërgjegjshëm dhe të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe për moslejimin e ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, që të vizitojë familjarët e tij në Preshevë.

“Sjelljet e tilla të ndarjes nga pjesa tjetër e familjes e Akademik Islamit thjeshtë ri-ngjallin kujtimet trishtuese nga e kaluara e errët historike e politikave të fqinjit tonë verior - Serbisë dhe forcojnë bindjen për mungesë të dukshme vullneti politik për zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në mes dy shteteve në Bruksel dhe përkushtimit të shprehur institucional për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

MPJ konsideron se veprimi i sotshëm i Institucioneve të Serbisë është në kundërshtim me çdo vlerë njerëzore dhe shkelje e rëndë e Lirisë së Lëvizjes, si parim themelor Evropian.

Kjo ministri ka thënë se do ta adresojë këtë çështje nëpërmjet kanaleve diplomatike tek përfaqësuesit e BE-së dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtarë dhe do të kërkojë me ngulm mos-përsëritjen e rasteve të tilla.