Arbëri

Moti i ligë ndërpret gërmimet në Kizhevak

Për shkak të motit të ligë, punimet në Kizhevak janë ndërprerë të premten.

Këtë e bëri të ditur të shtunën përmes një konference për media, Ramë Manaj, kryetar i Komisionit qeveritar.

Sa i përket gërmimeve për varreza masive, Manaj tha se për shkak të motit ato u ndërprenë.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive kanë nisur dy javë më herët dhe se terreni ka qenë mjaft i vështirë.

"Dje për shkak të motit janë detyruar që të ndërpresin punën, sepse javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe pritet që shumë shpejtë të bie edhe borë. Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta”, shtoi ai.

Tutje, Kushtrim Gara tha se gjatë vitit janë bërë kërkime në 7 lokacione.

Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, javën e kaluar kanë vazhduar gërmimet për zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë.

Gërmimet në Kizhevak, i cili gjendet në rajonin e Rashkës, kanë nisur në vitin 2015. Por, mbetjet mortore janë identifikuar vetëm muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga lufta e fundit, Kosova vazhdon t’i ketë të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona.