Arbëri

Moti gjatë javës së ardhshme kryesisht i vranët, në mëngjes parashihet mjegull

Moti vranet

Moti gjatë javës së ardhshme pritet të jetë i vranët dhe me intervale me diell. 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në orët e mëngjesit parashihen mjegulla, sidomos në ultësira dhe pranë zonave ujore. 

“Nuk parashihen reshje të asnjë forme, ndërsa për shkak të temperaturave të ulëta, në orët e para të mëngjesit mund të shfaqet brymë dhe në disa zona edhe krahnezë. Ndërsa në vise të larta parashihen më shumë rreze dielli për shkak të inverzionit”, ka njoftuar IHMK. 

IHMK-ja ka thënë se kushtet agrometeorologjike vlerësohen të favorshme për zhvillim të aktiviteteve bujqësore, për shkak të reshjeve të mëdha gjatë tetorit dhe nëntorit. 

“Gjatë mbjelljes së vonshme të grurit, rekomandohet respektimi i këtyre kritereve agroteknike: rritja e normës së mbjelljes (shtimi i sasisë së grurit në kg), përdorimi i farës cilësore dhe të certifikuar, përshtatja e thellësisë së mbjelljes sipas kushteve të tokës. Zbatimi i këtyre masave do të ndikojë pozitivisht në mbirjen e bimëve dhe në sigurimin e një rendimenti sa më të qëndrueshëm”, ka njoftuar IHMK.