Moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme pritet të jetë i ndryshëm prej atij që po mbizotëron të dielën.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik.
“Në këto kushte meteorologjike do të mbajë mot mjaft dinamik , i shoqëruar me erëra në formë stuhish, shkarkime rrufesh, me shi dhe vende-vende parashihen edhe reshje breshëri”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Kjo situatë sipas institutit, vije si pasojë e fushave të fuqishme termike të ardhura nga Afrika Veriore, të cilat mbizotëruan ditëve të fundit mbi gadishullin ballkanik.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-30 gradë Celsius.