Arbëri

Mosbesimi në drejtësi e kultura ndikojnë në numrin e madh të atyre që posedojnë armë pa leje

Numri i armëve pa leje në shtëpitë e kosovarëve konsiderohet të jetë mbi 250 mijë. Ky numër i armëve në duart e kosovarëve, sipas ekspertëve, vjen nga kultura e armëmbajtjes, mirëpo kjo jo domosdoshmërisht lidhet me aktet kriminale. E Policia e Kosovës gati për çdo vit konfiskon rreth 1500 armë pa leje.

Qytetarët të cilët posedojnë armë pa leje cenojnë rendin dhe sigurinë publike, por edhe jetën e tyre

Ndonëse nuk dihet numri i saktë, nga raporte e hulumtime të ndryshe thuhet se numri i armëve pa leje në Kosovë është rreth 250 mijë, ndërsa i atyre me leje mbi 40 mijë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të kaluarën janë identifikuar 360 mijë armë ilegale, por me miratimin e Ligjit për Armët është shënuar ulje e dukshme e tyre.

Kjo ka ndodhur edhe për shkak të fushatave të vazhdueshme për legalizim.

Por policia e Kosovës gati për çdo vit konfiskon rreth 1500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.

Sipas të dhënave të Policisë gjatë periudhës janar-qershor 2023, janë ndaluar 623 persona për armëmbajtje pa leje.

Në polici, konsiderojnë që duhet përfshirje më e gjerë institucionale për të zgjidhur këtë problem.

“Siç e potencuam Policia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, përfshirë edhe rrezikun nga plumbat nga ajri (plumbat çorr).Në aspektin e parandalimit përveç policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët e tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, bënë thirrje te institucionet që të krijojnë mekanizma ligjor që qytetarët të mund t’i legalizojnë armët që posedojnë.

“Duhet bëhet përsëri ligji për legalizim, duke krijuar favore më të mira për qytetarët që dorëzojnë armët, edhe taksat edhe format e tjera administrative, nëse janë të kushtueshme i dekurajojnë në dorëzim”, thotë Ibishi.

E Sociologu Artan Krasniqi, ka thënë që numri i armëve që mbajnë nëpër shtëpitë e tyre kosovarët, ndërlidhet edhe me besimin e ulët në institucionet e rendit.

Por, sipas tij, armëmbajtja në shtëpi, te familjet në Kosovë, jo domosdoshmërisht lidhet me aktet edhe incidentet me armë zjarri.

“Është me rëndësi të theksohet se armëmbajtja në shtëpitë e shqiptarëve si element i kulturës, sado që mund të kemi kritika ose vlerësime të ndryshme për këtë fenomen, nuk ka të bëjë asgjë me armëmbajtjen pa leje me qytetarët që kanë të kaluar apo janë kriminel. Kjo është diçka e ndarë, kriminelët në të gjithë botën i përdorin armët për t’i qëruar hesapet”, ka deklaruar Krasniqi.

Institucionet e Kosovës patën ndërmarrë iniciativa ku përfshiheshin lehtësira ligjore për regjistrimin e armëve, mirëpo ndaj këtyre nismave është përgjigjur numër i vogël i qytetarëve.

Deri tash, janë organizuar shumë fushata nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP-ja të cilat kishin për qëllim uljen e numrit të armëve pa leje.