Analisti politik Ejup Gojnovci ka thënë se në takimin për Bordin e Paqes me dy krerët opozitarë, atë të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së Ramush Haradinaj, presidentja Vjosa Osmani duhet të ketë tentuar të lexoj edhe nëse e ka mbështetjen ose jo të tyre për një mandat të dytë si presidente.
Gojnovci në “Konfront” të KTV, ka potencuar se kjo çështje është edhe në duart e kryeministrit Albin Kurti, vetëm se i njëjti sipas analistit Gojnovci, nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do e mbështesë Osmanin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Deri tash sa kam parë Osmani ka takuar dy liderë të opozitës, Abdixhikun dhe Haradinajn me të cilët ka treguar se ka biseduar për Bordin e Paqes. Unë dyshoj që kjo çështje ishte e vetmja temë në tavolinë. Unë besoj se ajo ka kërkuar të lexojë ose shoh në opinionin e tyre nëse do e mbështesin ose jo. Në anën tjetër Kurti nuk ka dhënë shumë sinjale se do e mbështesë Osmanin për një mandat të dytë, megjithatë situata është goxha në dorën e tij. Nga PDK-ja nuk ka shumë sinjale pozitive”, ka thënë Gojnovci.
Sipas Gojnovcit deklarimi i Osmanit se do ta vazhdojë angazhimin politik edhe nëse nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, konsiderohet si një kërcënim politik ndonëse sipas analistit Gojnovci duket se ka një hezitim brenda Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbështetur Osmanin.
Ramosaj: Presidenti në Kosovë, noter i Qeverisë
Profesori Berim Ramosaj ka thënë se presidenti në Kosovë ka rol kryesisht përfaqësues dhe formal, derisa ka komentuar peshën e institucionit të presidentit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Ai ka thënë se në Kosovë presidenti ka disa kompetenca më shumë se ai në Shqipëri, derisa e ka cilësuar funksionin e tij si "noter" të Qeverisë.
“Presidenti qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, duke marrë parasysh pozicionin që ka në fakt janë noterë të Qeverisë, edhe pse presidenti i Kosovës ka disa ingerenca pak më të larta sesa presidenti i Shqipërisë, kur është në pyetje zgjedhja e gjyqtarëve, zgjedhja e shefit të AKI-së. Presidentja e Kosovës e ka një problem, a don të jetë presidente e qytetarëve të Kosovës, apo presidente e partive politike që veprojnë në Parlament”, u shpreh ai në “Konfront”.
Ramosaj ka theksuar se mënyra e zgjedhjes së presidentit në Kosovë e kushtëzon në një masë raportin me partitë politike.
“Kur e dimë si zgjidhet dashtë e pa dashtë ajo duhet t’i respektojë ato grupe. Por kur zgjedhjesh president, fakti që Kushtetuta e fut elementin që duhet me qenë 2/3 prezentë i jep asaj përgjegjësi shtesë që duhet të jetë konsensuale. Andaj çdo lëvizje e saj prej ekstremit në ekstremin tjetër nuk i jep benefite, përkundër e qet në pozita jo të një burrështeti apo gruashteti por në çështje të politikave të thjeshta ose interesave grupore”, ka theksuar Ramosaj.
Gojnovci: Fakti që Osmani doli në marsh nuk nënkupton që s'përfitoi edhe politikisht
Prezencën e presidentes Vjosa Osmani në marshin e organizuar “Drejtësi, jo politikë” përmes së cilës kërkohej drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, analisti politik Ejup Gojnovci e ka qujtur si ndihmë për dalje më të madhe të qytetarëve.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Gojnovci ka thënë se nuk përjashtohet as mundësia që ajo ka dashur të fitojë edhe simpatinë e deputetëve të PDK-së që ta votojnë edhe për një mandat si presidente.
“Marshi i djeshëm nuk duhet të përzihet me marshet e tjera sepse nuk janë të njëjtë. Nuk ishte për individët, ishte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kemi pasur rezolutë bashkë me Kuvendin e Shqipërisë për këtë çështje. Prezenca e presidentes dje ka qenë për ta ndihmuar masivizimin e kësaj proteste. Fakti që ajo ka dalur për ta mbështetur marshin nuk nënkupton që nuk ka fituar poena politikë apo që s’ka tentuar të përfitojë politikisht. Njerëzit bëjnë një lëvizje që mund t’i sjellin dobi në karrierën e tij apo saj. Ajo ka tentuar të përfitojë edhe simpatinë e njerëzve që nesër mund ta votojnë në Kuvend nga Partia Demokratike e Kosovës njerëzit e së cilës ishin iniciues të këtij marshi”, ka thënë Gojnovci.
Gojnovci ka theksuar që megjithatë “mesazh tjetër dërgohet në bashkësinë ndërkombëtare kur një proteste mbështetet nga një president shteti”.
Ramosaj: Rezolutat në Kosovë dhe në Shqipëri, për konsum politik
Rezolutat që u votuan në Kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë me anë të së cilave kërkohet proces gjyqësor i drejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, profesori Berim Ramosaj i ka quajtur si akte shumë të vonuara.
Ramosaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se ka pasur mjaft kohë mjaftueshëm që të bëhen më herët andaj ai i ka cilësuar si rezoluta vetëm për konsum politik.
“Rezoluta që u ndërmor si hap nga Kuvendi i Kosovës edhe rezoluta në Shqipëri ishin akte shumë të vonuara. Nuk ka filluar ai gjykim sot, ka katër-pesë vite që ka filluar. Ka pasur hapësirë kohore të mjaftueshme të ndërtohen rezoluta të të gjitha formave. Unë nuk besoj që ka akterë politikë brenda Kuvendit të Kosovës që nuk e aprovojnë në rast se kjo çështje mbetet te rezoluta. Vonesat janë shpërfaqur në momentin e fundit. Të dy rezolutat i konsideroj të vonshme si akte politike. E dijmë që nuk prodhojnë efekte juridike sepse nuk kanë karakter obligativ. Më tepër, të dy rezolutat janë bërë për konsum politik”, ka thënë Ramosaj.
Kuvendi i Kosovës miratoi me 90 vota një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe Kuvendi i Shqipërisë më 12 shkurt miratoi deklaratën për pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuvendi përmes kësaj deklarate i jep mbështetje ish-krerëve, teksa e kërkon edhe lirimin e tyre nga Gjykata Speciale.
Morina: Gabim që Osmani iu bashkua protestës së djeshme
Analisti politik Idriz Morina e ka vlerësuar gabim pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani në marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas tij, qëndrimi i presidentes Osmani ishte në kundërshtim me politikat e saj që i ka proklamuar. Morina ka theksuar se e sheh gabim që Osmani nuk ka kërkuar përgjegjësi për çështjen e zbardhjes së vrasjeve politike pas luftës.
“Patjetër që është gabim, e shoh në kontekst të moskërkimit të përgjegjësisë në raport edhe me vetë kërkesën e LDK-së që të përfshihet edhe çështja e zbardhjes së vrasjeve politike, qoftë brenda këtij mandati që mund të jetë përfundimtar i Gjykatës Speciale, dhe të ketë një shpresë të krijohet për ato familje që një ditë ta gëzojnë drejtësinë, zbardhjen e fatit të viktimave”, ka thënë ai në “Konfront”.