Arbëri

Monumenti i shumë simbolikave

Tri shkronjat “UÇK”, të përmasave rekorde, janë ngritur në majën më të lartë të fshatit Ngucat të Malishevës, për t’u bërë të dukshme jo vetëm nga fshati, por edhe nga distanca shumë më të largëta në rajonin e Llapushës

Kosova është bërë sivjet edhe me një monument tjetër të veçantë të luftës të fundit për liri. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga fshati Ngucat i Malishevës, e përmbyllën vitin me një projekt madhor, të cilin e kanë emëruar kompleksi “Kodra e UÇK-së”.

Shkronjat “UÇK” të përmasave rekorde janë ngritur në majën më të lartë të fshatit, për t’u bërë të dukshme jo vetëm nga fshati, por edhe nga distanca shumë më të largëta në rajonin e Llapushës.

Mustafë Shala, veteran i UÇK-së dhe kryetar i Komisionit të fshatit Ngucat, i cili ishte formuar nga veteranët dhe përfaqësuesit e lagjeve enkas për këtë projekt, tregon për përmasat e shkronjave.

“Shkronja U është 8 metra e lartë, 6 e gjysmë e gjerë. Shkronja Ç ka 8 metra lartësi e 6.65 gjerësi dhe ajo K është 8 metra e lartë e 6.90 e gjerë. Lartësia prej tokës deri te vendi ku fillojnë shkronjat është 4 metra, që do të thotë se bëhen 12 metra lartësi prej tokës", rrëfen Shala. Shkronjat ai tregon se janë punuar nga çeliku, llamarina dhe materiali “alikapon”, pllakë kjo me përbërje alumini dhe plastike.

“Gjerësia e shkronjave nga U deri në fund të K-së, me distancat mes tyre, është 36 metra. Jo rastësisht. E kemi lidhur me alfabetin e gjuhës shqipe prej 36 shkronjave. Kemi dashur që këto 3 shkronja ta simbolizojnë alfabetin prej 36 shkronjash”, shton ai.

Image
Parku i lojërave për fëmijë në kompleksin “Kodra e UÇK-së”

Ngërthimi i simbolikave

I tërë konstrukti është i punuar në ngjyrat kuq dhe zi.

“Kemi dashur që t’i simbolizojmë ngjyrat e flamurit kombëtar. Në emblemë të UÇK-së janë ngjyrat e arta, por pasi UÇK-ja ka luftuar nën ngjyrat e flamurit kombëtar, kemi vendosur për këto ngjyra”, sqaron Shala.

Afër 3 shkronjave të këtij monumenti është edhe teksti i betimit të ushtarit të UÇK-së.

“Përkrah shkronjave, pranë 3 flamujve – flamurit kombëtar, atij të UÇK-së dhe të Kosovës – e kemi vendosur tekstin e betimit të ushtarit të UÇK-së. UÇK-ja ka vepruar nën flamurin kombëtar dhe si prodhim i asaj lufte e kemi flamurin e Kosovës. Ai betim nuk është realizuar dhe unë e konsideroj atë si një borxh që na e ka dikush”, shprehet kryetari i komisionit.

Në kompleksin “Kodra e UÇK-së” gjendet edhe muri kala.

“Mbi murin kala janë 17 drita dhe 3 flakadanë që ndriçojnë secili njërën prej tri shkronjave të UÇK-së, ndërsa 17 dritat simbolizojnë 17 shkurtin e pavarësisë së Kosovës”, e shpjegon Shala simbolikën e monumentit. “Shkronjat kanë edhe ndriçim. Këto 3 shkronja që në luftën e fundit i sollën lirinë dhe dritën këtij populli kemi menduar që të mos jenë në terr asnjëherë, që ditën t’i ndriçojë dielli e natën dritat”, e zbërthen ai rëndësinë e ndriçimit.

Shala thotë se Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së ka vendosur që nata e zjarreve, që mbahet çdo 7 mars, tash e tutje për rajonin e Llapushës të organizohet në kompleksin e ri të Ngucatit.

Ideja e ngritjes së një simboli të luftës në Ngucat, Shala thotë se ka qenë e hershme porse vetëm në marsin e 2021-tës një grup veteranësh kanë vendosur për realizimin e tij. Krejt puna kishte nisur me idenë e një projekti shumë më të vogël, mirëpo ishte gatishmëria e banorëve për financim ajo që i ka dhënë hov rritjes së tij.

Organizatorët fillimisht u kishin kërkuar banorëve 20,000 euro për projektin, por vetëm brenda 6 ditë ishin siguruar 33,000 euro. Kjo gjë kishte rritur ambiciet e tyre. Dhe në fund, projekti ka gjeneruar rreth 100,000 euro, para këto për të cilat Shala thotë se ishin dhuruar nga vende të ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.

“Kështu projekti mori përmasat e një projekti kombëtar”, thotë ai.

“Kodra e UÇK-së” i ka edhe bartësit e punës profesionale. Për pjesën arkitekturore është kujdesur arkitektja Fitore Shala. Për armirimin inxhinieri Faik Zogaj, për konstruktin inxhinieri Tafil Asllanaj, ndërkaq punën direkte në punimin e shkronjave e ka bërë Behar Pllana.

Image
Pamja e kompleksit nga fshati Ngucat

“Projekt i rekordeve”

Arkitektja Fitore Shala e quan projektin një sfidë interesante.

“Nga pikëpamja profesionale nuk ka qenë diçka e vështirë, pasi që ideja e veteranëve ishte shumë e qartë. Mirëpo puna ka qenë e ndërlidhur edhe me anën emocionale, pasi që si vendëse më lidhnin kujtime të shumta me peripecitë e luftës gjatë së cilës isha fëmijë, si dhe me përkatësinë e familjarëve e shumë të njohurve e bashkëvendësve në UÇK”, thekson arkitektja për projektin që e quan krenari të sajën.

Inxhinieri Tafil Asllanaj, i cili ishte përgjegjës për pjesën teknike inxhinierike të konstruksionit, thotë se donte që shkronjat t’i bënte edhe më të mëdha, porse në këtë drejtim kishte hasur në vështirësi.

“Kisha dëshirë të shkonim bile në 10 metra për shkronja, por si një vend që e rrahin erëra të fuqishme kërkohej një përforcim shumë i madh dhe kjo kërkonte më shumë para, të cilat mungonin”, tregon Asllanaj. Edhe në këto përmasa, sipas tij, shkronjat janë të përmasave rekorde, të paktën për vendet e Ballkanit. Ai thotë të ketë punuar edhe në realizimin e obeliskut “Newborn” në Prishtinë, por këtë në Ngucat e cilëson si më interesant sesa Newborni.

Image
Vendpunishtja ku janë punuar tri shkronjat e monumentit në Ngucat të Malishevës

“Behari i shkronjave”

Punimi i shkronjave nën direktivat e inxhinierit Asllanaj është bërë në vendpunishten e Ibush Zabelajt. E ky fakt e bën krenar këtë ish-pjesëtar të UÇK-së.

“Ka pasur hapësirë më shumë këtu, mandej kishim makineri e mjete për ngarkim-shkarkim dhe bartje", sqaron ai arsyen e përzgjedhjes së vendpunishtes së tij. Por Zabelaj thotë se i ka ngelur merak që shkronjat nuk janë bërë edhe më të mëdha.

“Sidoqoftë, edhe kështu ky monument ia ka shtuar hijeshinë vendit”, thekson ai.

Behar Pllana, mjeshtri i shkronjave, të cilin në Ngucat tani e njohin si “Behari i shkronjave”, rrëfen se së bashku me Imer Gërgurin dhe Kreshnik Pllanën kanë bërë saktësisht 29 ditë në rregullimin e shkronjave.

“Kam punuar në shumë projekte, por më me emocion se këtu askund. Këso ndjenjash s'kemi pasur askund, mezi që kemi pritur t’i shohim shkronjat duke u ngritur në këmbë”, shprehet ai.

Veterani i UÇK-së nga Ngucati, Shaip Elshani, i cili ishte pjesë e organizimit dhe zbatimit të projektit, thotë se “realizimi ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme, superiore”.

“E nisëm si simbolikë të thjeshtë, por doli diçka madhështore. Dhe kjo ishte krenari, ndërsa për secilin ushtar është një simbolikë që na bën të ndihemi krenarë”, shprehet ai.

Projekti si tërësi ka mbaruar 3 muaj e gjysmë pas nisjes së punimeve efektive, ndërsa është përuruar më 25 gusht, në Ditën e Dëshmorëve të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” të UÇK-së. Në të është i vendosur edhe një park lojërash për fëmijë. Ndërkaq rruga deri aty është e shtruar vetëm në zhavorr. E kjo përbën vështirësi për vizitorët e shumtë dhe të përditshëm të tij.