Nënkryetari i Federatës së Mësuesve të SHBA-së, Dan Montgomery, ka realizuar një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës i bëri thirrje Qeverisë për të zhvilluar dialog social me Sindikatën e Arsimit. Ai tha se, për të pasur rezultate, SBASHK-u dhe Qeveria duhet të mësohen me kompromise.
Dialogu social mes Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit është çelësi për përmirësimin e cilësisë në sektorin edukimit, tha nënkryetari i Federatës së Mësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dan Montgomery.
Montgomery ndodhet në vizitë dyditore në Kosovë. Gjatë takimeve me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe me deputetë të Komisionit Parlamentar për Arsim, ai i bëri thirrje pushtetit qendror që të krijojë rrugë komunikimi me SBASHK-un.
“Unë mendoj se duhet të veprohet duke bashkëpunuar më shumë. Në Shtetet e Bashkuara është vërtetuar dhe gjithashtu disa studime tregojnë se në shtete që ka bashkëpunim mes Qeverisë dhe sindikatave të mësimdhënësve, performanca është më e lartë. Kjo është rruga që duhet të ndjekur për të zgjedhur çdo problem në arsim. Duhet punë e përbashkët”, ka thënë Montgomery.
Sindikalisti amerikan shtroi nevojën që të dyja palët të mësohen me kompromise.
“Dialogu social nuk nënkupton vetëm të dëgjosh e të mos veprosh. Do të thotë të marrësh dhe të japësh, të përfshihesh, e të komunikosh në mënyrë të vazhdueshme e të veprimesh duke sjellë rezultate. Ne çka theksuam në takime është se kompromisi është i nevojshëm dhe treguam mënyra sesi duhet vepruar”, ka thënë ai.
E kryesindikalisti i mësimdhënësve të Kosovës, Rrahman Jasharaj, drejtoi kritika ndaj ministres Nagavci për mungesë të interesimit për të bashkëbiseduar e dialoguar me SBASHK-un.
“Uroj që zonja Nagavci dhe të tjerët pas kësaj vizite, unë i thashë që më në fund po takohemi dhe uroj që të kemi takime në të ardhmen nga se nuk e fshehim as nga mediat, ku kanë kaluar shatë-tetë muaj dhe nuk kemi pasur asnjë takim mbase nga inati që e mban zonja Nagavci, për shkak të grevës që nuk e dëshiruam, por greva zgjati goxha shumë”, ka thënë Jasharaj.
Gjatë ditës, nënkryetari i Federatës së Mësuesve të SHBA-së vizitoi shkollat në qytetin e Ferizajt, ku theksoi mungesën e kushteve infrastrukturore, por vlerësoi shkathtësitë e nxënësve në të folurit e gjuhës angleze.