Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mogherini: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Në fjalimin e saj të fundit përpara vitit elektoral 2019 për Parlamentin Evropian, në Konferencën e përvitshme të Ambasadorëve të BE-së që largohen dhe ata që marrin detyrën nga tani, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ka theksuar ndër të tjera se përgjatë këtij viti duhet bërë ende shumë për të ngurtësuar gjithçka është arritur deri më tani.

“Kemi shumë për të bërë për të përmbushur punën tonë dhe për t’i lënë pasardhësit, që do të ketë nderin dhe kënaqësinë të bëjë këtë punë pas meje, vitin e ardhshëm, të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të domosdoshme që të punojë siç duhet”, u shpreh në fillim Mogherini, e cila la edhe “amanetet” e saj, shkruan Tch.

“Do të jetë një vit intensiv për përgatitjet drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Më lejoni të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve evropianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Në Ballkan, sot është më se e qartë se Bashkimi Evropian është pikë reference. Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon: për sa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, tha Mogherini.

Federica Mogherini u ndal edhe në çështjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit.

“Mes palëve u manifestua një marrëveshje gjatë verës, ndërkohë që në Maqedoni do të zhvillohet brenda pak javësh një referendum për emrin. Shpresoj që së shpejti, ai vend të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Mogherini.

Artikuj të ngjashëm