Arbëri

Mjetet për COVID, Fushë-Kosova i harxhoi për mëditje të udhëtimit

Një pjesë të mjeteve të dedikuara për menaxhimin e pandemisë COVID-19, komunarët e Fushë-Kosovës i kishin shpenzuar për mëditje të udhëtimit zyrtar. Po ashtu, nga mjetet e transferuara te një OJQ me destinim për pagesën e pagës shtesë për menaxhimin e pandemisë COVID-19, shtesa në paga kishin marrë edhe menaxheri i kontratës nga ana e Komunës, drejtori i OJQ-së dhe dy të tjerë nga stafi i saj ekzekutiv

Mjetet e dedikuara për menaxhimin e pandemisë COVID-19, komunarët e Fushë-Kosovës nuk i kishin shpenzuar të gjitha për këtë qëllim.

Një pjesë të tyre ata i kishin shpenzuar edhe për mëditje të udhëtimit zyrtar. Ndërkohë që, nga kontrata ndërmjet Komunës dhe një OJQ-je për “Ofrimin e shërbimeve sociale, shëndetësore dhe tjera”, me destinim për pagesën e pagës shtesë për menaxhimin e pandemisë COVID-19, shtesa në paga kishin marrë edhe menaxheri i kontratës nga ana e Komunës, drejtori i OJQ-së dhe dy të tjerë nga stafi ekzekutiv.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë rreth këtyre gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), por ata nuk janë përgjigjur.

Sipas Raportit të Auditimit, buxheti për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Komunën e Fushë-Kosovës ishte 1 milion e 140 mijë e 732 euro, prej të cilave më 2020-tën ishin shpenzuar 1 milion e 19 mijë e 11 euro.

“Ato kanë të bëjnë kryesisht me shtesat në paga (170,100€) për institucionet shëndetësore me vendim të qeverisë, mallra e shërbime (195,569€) dhe subvencione e transfere (653,342€) për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia me vendim të qeverisë. Shpenzimet për menaxhimin e pandemisë janë shpalosur në kuadër të pasqyrave financiare. Kemi testuar pesë (5) mostra për paga në vlerë 1,500€, gjashtë (6) mostra për subvencione dhe transfere në vlerë 87,100€ dhe 6 mostra mallra e shërbime në vlerë 27,379€”, shkruhet në Raportin e ZKA-së për Komunën e Fushë-Kosovës.

Në bazë të vendimit të Qeverisë nr.01/23 të datës 13.08.2020 dhe vendimit nr. 01/27 të datës 26.08.2020, siç thuhet në Raport, Komunës së Fushë-Kosovës i janë alokuar mjete për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Po ashtu, me vendim të Ministrisë së Financave të datës 3.9.2020, është bërë transferimi i mjeteve nga kategoria e rezervës në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve dhe të subvencioneve me qëllim të menaxhimit të situatës në shëndetësi dhe ekonomi të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Nga mjetet e dedikuara për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Komuna kishte realizuar pagesa që nuk ndërlidheshin me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 në vlerë prej 80,734€. Ato kanë të bëjnë me: Mëditje të udhëtimit zyrtar në vlerë prej 2,434€ e paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve; Komuna kishte lidhur kontratë me OJQ-në për ‘Ofrimi i shërbimeve sociale, shëndetësore dhe tjera në Komunën e Fushë Kosovës’ në vlerë prej 832,100€ me kohëzgjatje prej 01.04.2020 deri më 31.03.2022”, thuhet tutje në Raport.

Sipas të njëjtit, nga fondet e destinuara për COVID-19, me vendim të kryetarit, vlera prej 73 mijë e 800 eurosh është transferuar te kjo OJQ, me destinim për pagesën e pagës shtesë për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Kjo është bërë për muajin korrik dhe gusht 2020 për 123 punëtorët e angazhuar në punë, bazuar në kontratën e lartshënuar. Në mesin e këtyre punëtorëve që kanë përfituar shtesat në paga, kemi identifikuar menaxherin e kontratës nga ana e Komunës, drejtorin e OJQ-së dhe dy të tjerë nga stafi i saj ekzekutiv. Për më tepër, ky vendim ishte në kundërshtim me Rregulloren për ndarje të subvencione nr.83, neni 6, sipas së cilit Kryetari i Komunës lejon ndarjen e subvencioneve për persona juridik prej 0-5,000€”.

Tutje në Raport thuhet se për realizimin e trajnimeve profesionale të rrobaqepësisë për gratë, në veçanti të komunitetit egjiptian në Fushë-Kosovë, ishte ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 4 mijë e 500 eurosh. Objektivat e projektit, sipas ZKA-së, nuk janë arritur për shkak se sipas projektit numri i përfituesve të trajnimeve ishte parashikuar të jetë 48 veta për 3 muaj, por vetëm 13 veta kishin ndjekur trajnimin, ndërsa 10 prej tyre ishin certifikuar.

“Raporti i dorëzuar financiar nga ana e OJQ-së nuk ishte i plotë dhe i mbështetur me dëshmi relevante. Kjo ka ndodhur për shkak se në momentin e kërkesës për këto shpenzime nga drejtoritë përkatëse, ka pasur mungesë të mjeteve në linjat tjera buxhetore, si dhe kontrolle të brendshme të pamjaftueshme në ofrimin e mbështetjes financiare të përfituesve”.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ka ndikuar në shfrytëzimin e fondeve jashtë destinimeve përkatëse dhe në mosarritjen e objektivave përkatëse.

“Prandaj, shpërndarja e mjeteve pa bazë ligjore tregon për menaxhim joadekuat të fondeve publike nga ana e Komunës. Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që pagesat dhe shpenzimet e Komunës të bëhen konform qëllimit për të cilin janë alokuar dhe vendimeve të Qeverisë. Po ashtu, të forcohen kontrollet e brendshme, që mjetet të destinohen për projekte dhe programe që janë me prioritet dhe në interes të publikut”, shkruhet në Raport.