Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Getoar Mjeku, ka thënë se disa rrjete të supermarketeve po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre te konsumatorët, duke pretenduar se kanë sasi të kufizuar të produkteve të caktuara.
Duke folur në “60 Minuta” të KTV-së rreth ngritjes enorme të çmimeve të disa produkteve së fundmi në Kosovë, Mjeku ka thënë se këtu bëhet fjalë për konkurrencë jolojale dhe keqpërdorim të pozitës së ndërmarrësve në treg.
“Kemi identifikuar shkelje të vazhdueshme te disa rrjete të supermarketeve që kanë shfrytëzuar ndikimin e padrejtë që kanë për konsumatorin duke pretenduar se ka sasi të kufizuar të produktit të caktuar. Kjo përkon edhe më gjetjet tona edhe të mëhershme në monitorimin e tregut. Ka hyrë në funksion inspektorati i tregut me vizitat në terren dhe me masat konkrete. Këtu kemi një konkurrencë jolojale, një keqpërdorim të pozitës së këtyre ndërmarrësve në treg. Kjo duhet të ndëshkohet në mënyrën e paraparë me ligj”, ka thënë Mjeku.
Sipas tij, Qeveria ka marrë masa aty ku i lejohet me legjislacionin në fuqi për kontrollin e çmimeve.
“Kemi marrë masa aty ku na ka lejuar legjislacioni në fuqi për kontrollin e çmimeve sic ka thënë marzha për produktet e naftës për produktet e tjera nuk kemi mekanizma për të caktuar një marzhë tregtare por kemi mekanizma për t’i kontrolluar ato. Kontrollet në pikat e shitjes dhe në depo janë një nga format e mbikëqyrjes së tregut. Këtu vërejmë shkelje të qarta kur shihet se në rafte ka më tepër se 4 njësi ose copë të një artikulli kurse deklarata e shitësit është se sasia është e kufizuar”, ka thënë Mjeku.
Edhe
Qeveria pa veprim për lehtësimin e barrës së qytetarëve nga shtrenjtimi i naftës
Ai ka shtuar se gjobat për këto shkelje parashihet të shkojnë nga 5,000-15,000 euro, por që nuk përjashtohet mundësia për gjoba më të larta.
Zeqiri: E njëjta situatë edhe në Maqedonisë së Veriut, panik për rritjen e çmimeve
Gazetarja në Maqedoninë e Veriut, Artina Zeqiri, ka deklaruar se pavarësisht masave dhe subvencionimeve që pritet të ndërmerren në këtë vend, qytetarët janë të shqetësuar dhe është vërejtur panik te ta për rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.
Në një lidhje direkte për 60 Minuta të KTV-së, Zeqiri ka treguar se ndonëse ka pasur rritje brenda 24 orëve të fundit në çmimet e produkteve sikurse ushqimore, edhe të naftës, këto çmime sërish vazhdojnë të jenë më të ulëta se në Kosovë.
“Padyshim se është e njëjta situatë edhe në Maqedoninë e Veriut, qytetarët janë të frikësuar për situatën, qëllimi është që sa më tepër të merret ushqim, jo se nuk mund të dalin jashtë por për shkak të rritjes së çmimeve. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e morën situatën me panik që nga java e kaluar, e vështirë është sepse edhe bizneset po thonë se janë të kufizuar në sasinë e tyre dhe padyshim se kjo do të krijojë një lloj inflacioni. Edhe pse situata e Maqedonisë së Veriut për vendosjen e çmimeve ka qenë më ndryshe, ka pasur kufizim dhe çmimet e produkteve bazë nuk janë ngritur, siç duket situata e fundit ka bërë që çmimet të rriten, Qeveria ka reaguar në kohë, masat sot do të miratoheshin në Kuvend për uljen e TVSH-së në 0 për qind. Me gjithë këto subvencionime dhe masa, sërish vërehen shqetësime”, ka thënë ajo.
Zeqiri më tej ka treguar se ministri i Ekonomisë i këtij vendi ka njoftuar se çmimi i bukës nuk do të ndryshojë, por se një gjë e tillë nuk është duke u parë sot, meqë buka po shitet deri në 50 centë.
Ajo më tej ka treguar edhe çmimet që vërehen se janë rritur te produktet tjera, si vaji e sheqeri, por që ka shtuar se shumë biznese janë treguar më humane duke i informuar qytetarët se disa prej produkteve nuk do të kenë rritje të çmimeve.
“Vaji ka arritur në 2.28 euro, ka qenë shumë më lirë më parë. Sheqeri ka arritur në 70 cent, mielli në 1 euro, varion në secilin dyqan. Disa biznese janë treguar më humanë dhe socialë duke informuar se disa prej produkteve nuk do t’iu ngritën çmimet”, ka thënë ajo.
Edhe
Ankesa për çmimet e larta, qytetarët thonë se me vështirësi po i përballojnë shpenzimet
Ndërkaq, sa i përket çmimit të karburanteve, Zeqiri ka thënë se pas mesnatës së mbrëmshme, shifra më e lartë e naftës ka arritur në 1.55 euro.
“Kryeministri i Maqedonisë ka informuar se do të zvogëlohet TVSH-ja për karburantin nga 18 në 10 për qind dhe në njëfarë mënyre do të ndihmojë qytetarët dhe do të ndikojë në çmime stabile. Edhe përkundrejt këtyre thirrjeve, në mesnatën e mbrëmshme kemi parë disa rritje të çmimeve, shifra më e lartë e naftës është 1.55 euro. Edhe pse mund të them se të gjitha këto janë rekomandime dhe do të duhej të kalonin në Kuvend, është kërkuar nga partitë që të sensibilizohen dhe të kalojnë këto rekomandime”, ka thënë ajo.
