Mjeku nga Gjakova, J. J., ka lënë Klinikën Infektive, pasi është shëruar nga koronavirusi dy ditë më parë.
Ai u trajtua në klinikën e sëmundjeve ngjitëse për dhjetë ditë, ku thotë se ka marrë trajtim human e profesional, raporton KP-ja.
Mjeku thotë se tash gjendja e tij shëndetësore është e mirë, por që do të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi edhe pak kohë dhe të mbajë distancën, duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Në një bisedë për KP, neurologu nga Gjakova tha se para se të rezultonte pozitiv me Covid-19, ka ndier lodhje dhe ka pasur humbje oreksi.
“Kam qëndruar dhjetë ditë në Klinikën Infektive ku jam trajtuar në mënyrë shumë humane, profesionale dhe në aspektin psikologjik na kanë qëndruar shumë afër, i falënderoj nga zemra stafin e Klinikës Infektive, na kanë inkurajuar dhe na kanë qëndruar shumë afër pavarësisht që kanë qenë të rrezikuar”, tha ai përmes telefonit.
Sipas protokollit, thotë se i janë bërë analizat dhe të dyja kanë rezultuar negative, duke bërë kështu që të nxjerrët konstatimi që ai tashmë është shëruar dhe gjendja e tij është stabile.
“Kam rekomandime që një javë të qëndroj në shtëpi dhe për distancim shoqëror siç e parashohin rregullat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thotë ai.
Me gjithë vështirësitë e qëndrimit larg familjes, ai porositë që të mbahet distanca në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.
“Mendoj që ne shqiptarët pak e kemi pas tepruar me këtë afërsinë shoqërore, e kam vështirë sepse dhjetë ditë nuk kam qenë afër familjes, por jam i lumtur që jam kthyer në familjen time”, shtoi neurologu nga Gjakova.
Ai thotë se vajza e tij gjithashtu ka dalë pozitive me Covid-19, por që e njëjta tashmë ka kaluar fazën kritike. Ajo është në pritje të kryerjes së testit të dytë për t’u konfirmuar si e shëruar.
Ai është infektuar derisa shërbente në Repartin e Emergjencës në Gjakovë dhe ndihet mirë meqë ka arritur të ndërpresë zinxhirin infektues dhe kështu nuk ka infektuar asnjë nga kolegët e tij në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.