Arbëri

Miratohet Projektligji për lirinë fetare

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për lirinë fetare. Siç ka thënë kryeministri Albin Kurti, projektligji ka për qëllim të ruajë pluralizmin fetare e t’ua ofrojë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht.

Vendimi ka marrë shumicën e votave në kabinetin qeveritar. Tre anëtarë abstenuan.


Qeveria synon miratimin e afro 100 projektligjeve për vitin 2023

Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin Legjislativ për vitin 2023, ku synon të kalojë afro 100 projektligje.

Ky numër, sipas kryeministrit Albin Kurti, mund të rritet nëse vazhdohet me angazhim të njëjtë nga ministrat e tij.

Programi legjislativ nga Zyra e Kryeministrit përmban pesë projektligje, Ministria e Financave 16 projektligje, Ministria e Brendshme 13, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës 11, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë 11, Ministria e Drejtësisë 10, Ministria e Shëndetësisë shtatë, Ministria e Ekonomisë pesë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pesë, Ministria e Bujqësisë pesë, Ministria e Arsimit katër, Ministria e Jashtme tre, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tre dhe Ministria e Mbrojtjes dy.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka riproceduar edhe një herë për në Kuvend, vendimin për masat emergjentë të furnizimit më energjie, pasi që Kuvendi në afatin prej 7 ditësh nuk ka arritur që të shqyrtojë vendimin që ishte votuar javë më parë në Qeveri.

Ekzekutivi ka miratuar edhe projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar.

Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për shpronësim për projekte infrastrukturore në Komunën e Podujevës, për varrezat e qytetit në zonën kadastrale Obrançë dhe për infrastrukturë shëndetësore në zonën kadastrale Surkish.