Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miratohet ligji për Prishtinën, Prizreni kryeqytet historik

Kuvendi i Kosovës sapo ka miratuar projektligjin për kryeqytetin me 66 vota pro, nga gjithsej 67 deputetë sa kanë marrë pjesë në votim.

Ndërsa, dy amendamentet më të diskutuara, para votimit kanë qenë ai për caktimin e Prizrenit si kryeqytet historik, dhe ai po policinë e kryeqytetit. Derisa, amendamenti 2 përmes të cilit Prizreni propozohej të bëhej kryeqytet historik i Kosovës, me gjithë kundërshtimet, ka kaluar dhe është miratuar, ai për policinë ka pasur tjetër epilog.

Nuk është miratuar versioni i ndryshuar nga Komisioni funksional, i cili i jepte të drejtë Kuvendit Komunal të Prishtinës që të themelojë Drejtorinë për policinë komunale, por ai që ka e ka dhënë Qeveria se Drejtorinë e policisë për kryeqytetin duhet ta themelojë vetë Policia e Kosovës


Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Prishtina u bë me ligj të vet edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave të tyre.

“Sot, pas shumë viteve, Prishtina u bë me ligj. Edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave tona, Ligji e bën qytetin tonë zyrtarisht Kryeqytet me status të veçantë e me kompetenca shtesë. Falënderoj të gjithë deputetët që e votuan ligjin. Urime Prishtinë! “, ka shkruar ai.


Pas kësaj, në Facebook ka shkruar edhe kryekuvendari Kadri Veseli, duke thënë “Jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Kryeqytetin, i cili e ndihmon zhvillimin e Prishtinës, me më shumë buxhet dhe kompetenca. Po ashtu, me këtë Ligj, Prizreni njihet si Kryeqytet Historik i Kosovës”.


Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky ligj i shton Prishtinës nga 4 milionë euro në vit.

Edhe Prishtina bëhet me Ligj, Prizreni kryeqytet historik   Arbëri Prishtina bëhet me Ligj, Prizreni kryeqytet historik

“Prishtina u bë me ligj. Kuvendi votoj edhe amendamentin tim që i shton kryeqytetit nga 4 milionë euro në vit - secilin vit - me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës. Për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro. Mjaftueshëm për të ndërtuar disa shkolla, çerdhe e qendra mjekësore nëpër Kryeqytet. Në emër të qytetarëve të Prishtinës i falënderoj të 64 deputetët që votuan propozimin tim. Urime Prishtinë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.


Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se kalimi i këtij ligji, është lajmi më i mirë i këtyre ditëve.

“Kalimi i ligjit për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës është lajmi më i mirë i këtyre ditëve. Që nga dita e parë si Kryeministër i vendit jam angazhuar që ky ligj, tejet i domosdoshëm për zhvillimin e kryeqytetit dhe i harruar, të funksionalizohet sa më parë. Urime Prishtinë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.