Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nagavci akuzohet se më 21 mars 2018, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia, asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Spreji që përdor Policia për shpërndarje të turmave, nuk është ligjshëm për posedim dhe futet në veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019.
Fillimisht, kjo lëndë i ishte ndarë gjykatësit të Departamentit të Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ertan Sejfulla, mirëpo ai përmes një akti përcjellës të 2 marsit 2020, këtë lëndë e kishte përcjellë në Departamentin për Krime të Rënda.
Edhe
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Nagavcit për posedim të sprejit në Kuvend
Kurse, sipas programit të Smil-it, lënda i ishte ndarë gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trajtimi i këtij rasti.
Aktualisht kjo lëndë po trajtohet nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.
Ministrja Nagavci, në një prononcim të shkurtër ka thënë se nuk ka njohuri se ndaj saj është ngritur aktakuzë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Arbërie Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë, me mbishkrimin “NATO American Style”.
Edhe
Opozita paralajmëron kallëzim penal ndaj ministres Nagavci
Tutje, në aktakuzë thuhet se derisa gjatë mbajtjes së seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka pasur hedhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hedhjen e sërishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike të gjithë deputetët. E gjatë kontrollit të të pandehurës Nagavci, asaj I është gjetur dhe sekuestruar spreji.
Me këtë, Nagavci akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimiPërDrejtësi