Ardiana Bunjaku, Drita Shoshi, Laura Kryeziu e Fadil Osmani janë 4 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton KTV .
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media të Ministrisë së Arsimit.
Emërimi i tyre ka ardhur pas shkarkimit të 4 anëtarëve të tjerë nga ministri Shyqiri Bytyqi, të cilët ishin emëruar nga ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.
Bytyqi thotë se emërimi i anëtarëve të rinj është bërë që të rritet niveli i përgjegjësisë në këtë institucion, pasi sipas tij, rektori Marjan Dema mund të bënte shumë më shumë punë seç ka bërë deri tash. Por zyrtarë të rektoratit thonë se Universiteti i Prishtinës është në krye të përgjegjësive të veta dhe do ta respektojë emërimin e anëtarëve të rinj, nëse edhe ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të ngritin edhe më tutje nivelin siç e kërkon ministri Bytyqi. Së fundmi, ministri Shyqiri Bytyqi nuk ishte pajtuar me uljen e vlerës së bursave për studentët e UP-së nga 600 në 500 euro, vendim të cilin e kishte marrë Këshilli Drejtues, por më pas u vendos që ta rikthejë shumën e bursave në vlerën e 600 eurove.Bordi Drejtues i UP-së, përveç katër anëtarëve të emëruar nga MASHT-i, i ka edhe pesë anëtarë të emëruar nga universiteti.