Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka quajtur “analfabet” ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Peci i është përgjigjur kritikave që bëri Hoti, që tha se Peci në “vend se të merret me subvencione, po merret me Ligjin e duhanit”.
“Hera e fundit që polemizoj me një analfabet! Z. Hoti nuk ka pagesa të subvencioneve në këtë periudhë, janar - mars 2023 sepse në vitin 2022 s’ka pas borxhe por në këtë periudhë ka pas aplikim për subvencione! Borxhi i vitit paraprak është ZERO ndërsa borxhet / obligimet tua kanë qenë mbi 40 milionë në vitin 2020 ndërsa kanë filluar të mbulohen në 2021-tën”, ka shkruar Peci në Facebook.
Hoti kishte thënë në Komision se Peci po merret me Ligj për duhan në vend se të merret me subvencione.
“Ministri Peci, në vend se të merret ku po shkojnë subvencionet, si po zhvillohet bujqësia, ai merret me Ligjin e Duhanit, është mirë me ja ndërruar edhe titullin ‘ministri për ndalim të duhanit’. Tek investimet kapitale as gjë nuk keni bërë, rreth 500 milion euro i mungojnë ekonomisë si shkak i mospunës së qeverisë...Jeni tall me buxhet", ka thënë Hoti.
Të njëjtat Hoti i përsëriti edhe në një postim në Facebook.
"Pagesat për subvencione në bujqësi: Janar-Mars 2021 24.96 mil euro*, Janar-Mars 2022 4.86 mil euro, Janar-Mars 2023 0.28 mil euro. Investimet kapitale në bujqësi për periudhën janar-mars 2023 janë 0%. Kaq për mbështetjen për bujqësi. Ministri Peci është bërë inspektor kundër duhanit, që është një çështje e rëndësishme. Por ai është ministër i Bujqësisë dhe duhet të merret me bujqësi e jo me çështje të inspektorëve. * Gjatë qeverisjes së LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Hoti: Inspektori Peci në botën e çudirave
Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, i ka reaguar prapë ministrit të Bujqësisë Faton Peci. Sipas Hotit Peci gjendet në “botën e çudirave”.
“Inspektor Peci në botën e çudirave. Pasi faktet dëshmojnë se puna e tij në bujqësi është e padukshme, inspektor Peci paska vazhduar me ofendime. Është në siklet se është bërë argat i atij që çdo ditë po e dëmton shtetin e Kosovës. E shan çdo ditë shtëpinë e mëparshme politike të tij, por nuk guxon të thotë një fjalë për përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 2023’”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje ai ka thënë se Peci e ka marrë mandatin nga Kuvendi për zhvillimin e bujqësisë, e po “merret me inspektimin e lokaleve për pirje të duhanit”.
“Po shkon edhe viti i tretë i qeverisjes dhe asnjë shenjë nuk ka në bujqësi nga puna e tij. E ftoj z. Peci të nisë të punojë diçka se i shkoi mandati. E vërteta është se, sipas raportit të Qeverisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, subvencionet në bujqësi janë zero dhe investimet kapitale në bujqësi janë zero”, ka shkruar Hoti.