Arbëri

Miftaraj: Për Tribunal Ndërkombëtar ndaj Serbisë duhet edhe vota e Rusisë e Kinës

Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ideja që të bëhet Tribunal Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë është vështirë e realizueshme për shkak se për një gjë të tillë duhet edhe përkrahja nga shtetet mike të Serbisë, si Rusia e Kina.

Ai ka thënë se për një Tribunal Ndërkombëtar duhet bërë një rezolutë nga Kombet e Bashkuara e ku duhet patjetër vota e Kinës dhe Rusisë. Po ashtu ka thënë se duhet pasur parasysh edhe ndikimin financiar me qindra miliona euro.

“Qoftë Kryeparlamentari Veseli, qoftë politika vendore duhet të dalin para opinionit me një ide të qartë se në çfarë kuptimi duan tribunal, pasi që në bazë të kornizës ligjore janë disa mënyra. Nëse duan të krijojnë tribunal nënkupton që duhet bërë me rezolutë nga Kombet e Bashkuara e duhen votat e Kinës e Rusisë. Dyshoj se do të ketë mekanizëm ndërkombëtar që obligon këto dy shtete për të bërë tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës që ka kryer Serbia në Kosovë e mos të harrojmë ndikimin financiar me qindra miliona euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe ideja që t’i dërgohet Parlamentit Evropian një raport për krimet e luftës të Serbisë në Kosovë do ta nxirrte Kosovën qesharake para ndërkombëtarëve. “Ajo mund të ishte më shumë si sensibilizim pas 20 vjetësh për krimet e luftës apo kujtesë për numrin e viktimave. Por kjo mund të jetë e zbehtë në raport me këto shtete pasi s’mjafton të dërgosh informata sa viktima ke pasur sepse dihet që NATO ka ndërhyrë për të ndalur krimet e Serbisë e nëse dalim vetëm me statistika, do të dalim qesharakë dhe do të tregojmë pazotësinë tonë për përmbushjen ligjore e morale ndaj viktimave”, ka thënë ai më tej në Express Intervistën në KTV.

Sipas tij, dihet që Serbia s’ka ofruar kurrë bashkëpunim për të dënuar krimet e luftës dhe se Kosova duhet të pranojë ofrimin e bashkëpunimit nga Kroacia për të gjetur rrugëdalje për gjykime dhe dënim të krimeve të luftës. Megjithatë, sipas tij, Kosova kurrë s’ka pasur vullnet që të pranojë këshilla apo të veprojë në këtë drejtim.

Miftaraj ka thënë se liderët politikë në vend po marrin vendime ad-hoc për të gëzuar familjarët e viktimave lidhur me dënim të krimeve të luftës, e jo vendime strategjike. Sipas tij, Kosova s’ka treguar kurrë strategji as për dialog, as për politikë të jashtme dhe mungesa e vizionit të tillë ka sjellë ide si kjo e krijimit të Tribunalit për krime lufte. Sipas tij, Kosova ka pasur mundësinë që këtë që po pretendon tani ta bënte më 2015 kur ishte në bisedime me faktorin ndërkombëtar për Gjykatën Speciale. Sipas tij, pozicioni i Kosovës në raport me ndërkombëtarët ishte më i fortë atëkohë.

“Kosova po ashtu ka humbur kohë 20 vjet për të themeluar institucione stabile të drejtësisë që do të ishin në gjendje të kishin resurse profesionale për të gjykuar krimet e tilla. Kemi Prokurori Speciale me dy apo tre prokurorë që merren me këto vepra. Kemi sistem prokurorial jo vetëm që i mungon vullneti, por edhe atyre që kanë vullnet u mungon profesionalizmi”, ka shtuar ai.

Sipas tij, fakti që Specialja ka nisur punën në dy vjetët e fundit e bën iniciativën e fundit të shihet më shumë si reagim ndaj faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, as misionet ndërkombëtare në Kosovë për drejtësi kanë dështuar. Ai ka thënë se Kosova është dashur të kërkonte llogari nga to.

Ka thënë se Kosova s’ka regjistër të të dhënave se çfarë ka bërë EULEX-i për krimet e tilla dhe se shkak për këtë është vetëm mungesa e vullnetit. Sipas tij, politika flet përmendësh se si të trajtohen rastet e tilla, por asnjëherë s’ka marrë veprime në praktikë. Ka thënë se në sistemin prokurorial ka disfavor për shqiptarët sepse në më shumë se 85 për qind të rasteve të gjykuar e të dënuar janë shqiptarët. Ai ka thënë se duhet ketë analizë se sa prokurorë duhet të ketë Kosova që të kryejë lëndët për 3 apo 4 vjet.

“Kosova duhet të kryejë detyrat e veta. Të ndajë 4-5 milionë euro. Të fuqizojë Prokurorinë Speciale me prokurorë shtesë, në departamentin për krime lufte me policë duke i trajnuar e të bëhet departament i veçantë në këto raste në gjykata. Kroacia është shtet mik dhe sistemi kroat i ka ofruar bashkëpunim që ekspertizën e tyre ta përçojnë në Kosovë. Ka pas iniciativa, që lidhen edhe me trajnimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve sidomos për viktimat e dhunës seksuale. Kroacia i ka ofruar bashkëpunim. Por kur kemi mungesë të vullnetit politik e sistem prokurorial të tillë ne tani po detyrohemi të flasim 20 vjet pas luftës se çfarë duhet të bëjmë për këto raste e në vend të kësaj ishte dashur flasim për numrat se sa janë gjykuar e dënuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërkesa e Kosovës për tribunal do të ishte më serioze nëse do të kishte aktvendime me fakte e dëshmi për krimet ndaj shqiptarëve nga Serbia.