Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV tha se draft-statuti i propozuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), mund të jetë një start i mirë, që garanton bazën e shtetit.
“Unë besoj në muajt e fundit kanë qenë disa kërkesa ose sqarime shumë konkrete nga SHBA-ja, do të thotë nga Ambasada, por edhe nga përfaqësuesit, në këtë rast këshilltari i presidentit Biden, që thotë se Kosova obligimin ndërkombëtar që e ka marrë në vitin 2013 për ta themeluar Asociacionin e duhet ta zbatojë në praktikë, dhe e dyta është se po japin premtime se ky Asociacion nuk do të jetë Republika Srpska. Se ky Asociacion nuk do të ketë pushtet ekzekutiv, dhe se ky Asociacion do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Miftaraj.
Ai tha SHBA-ja është aleatja më e rëndësishme, që i ka qëndruar afër popullit të Kosovës, prandaj nuk do të duhej të merrnim me rezervë këshillat, politikat e saja kurdo që vijnë për procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon jo vetëm Kosova, por edhe rajoni.
“Ne sot morëm pjesë në publikimin e draft-statutit të FES-it dhe përkundër asaj që ky draft-statut mund të ketë disa problematika, mund të them lirisht, minore, unë besoj që nëse ky draft-statut do të vinte si iniciativë nga Qeveria e Kosovës në formën, përmbajtjen me të cilën doli sot, do të ishte një start i mirë për të avancuar qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me palët në dialog”, shtoi Miftaraj.
Po ashtu, ai tha se draft-statuti i FES-it shihet që mund të jetë një start i mirë, i cili e garanton ndarjen e pushteteve dhe bazën e shtetit, dhe në të njëjtën kohë mund të jepen propozime interesante të cilat i avancojnë të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë në pajtim me Kushtetutën dhe kërkesave që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë.