Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të mërkurën në Prishtinë, se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në.
Michel ka thënë po ashtu se zgjidhja e çështjeve mes Kosovës e Serbisë është shumë e rëndësishme.
Zyra e Kryeministrisë ka njoftuar se Kurti dhe Michel biseduan për të arriturat dhe sfidat në më shumë se një vit qeverisje dhe kryeministri Kurti tha se stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike ka ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021 dhe po për 17 vende në indeksin e “Ëorld Press Freedom” për liri të shprehjes dhe të mediave.
“Kryeministri Kurti theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në Bashkimin Evropian dhe e njoftoi Presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet dhe është e përkushtuar për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Duke e njohur rolin e rëndësishëm që ka Presidenti Michel në koordinimin e konkluzioneve të samiteve të Këshillit Evropian, kryeministri shprehu shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me dialogun me Serbinë në Bruksel, sipas njoftimit, kryeministri Kurti theksoi “qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Michel është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.