Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MI-ja me afat të ri për asfaltimin e një pjese të rrugës në dalje të Prishtinës

Që nga muaji maj, kur kanë nisur punimet për zgjerimin e segmentit rrugor në dalje të Prishtinës, në magjistralen që lidh Prishtinën me Gjilanin, ende nuk kanë përfunduar.

Projekti i Ministrisë së Infrastrukturës për asfaltimin e këtij segmenti ishte paraparë të përfundonte në afat prej 55 ditësh, raporton KTV.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu, thotë se në implementimin e këtij projekti hasën në shumë vështirësi, por tash thekson se janë në fazën e fundit. Ai thotë se punimet pritet të kryhen brenda pak javësh.

Sipas tij, pavarësisht se patën vështirësi në komunikim mes KEDS-it dhe Ujësjellësit Rajonal Prishtina, këto dy të fundit janë në përfundim të infrastrukturës nëntokësore.

Megjithatë, janë qytetarët ata të cilët po kanë më së shumti vështirësi në qarkullim, nga kolonat dhe tollovitë që po shkaktohen nga zvarritja e punimeve.

Asfaltimi i segmentit në gjatësi prej 600 metrash i magjistrales Prishtinë- Gjilan i ka kushtuar Ministrisë së Infrastrukturës rreth 795 mijë euro.