Arbëri

MF-ja konteston ligjshmërinë e grevës në disa sektorë, thotë se s’ka obligim t'i paguajë grevistët

Ministria e Financave të Kosovës është duke kontestuar ligjshmërinë e grevës në disa sektorë, ndërsa po ashtu thotë se nuk ka për obligim t’i paguajë grevistët.

Për mospagesë të grevistëve thotë se është e bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

KOHA ka siguruar një opinion që i ka kërkuar Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, Nysret Koca, Ministrisë së Financave në lidhje me grevën.

“Sipas legjislacionit relevant në mënyrë që greva të konsiderohet e ligjshme, duhet respektuar të gjitha kushtet procedurale dhe materiale. Prandaj në rast të mosrespektimit të kushteve procedurale e materiale për të drejtën e grevës, e njëjta do të konsiderohet e jashtëligjshme. Ndërsa në raport me zbritjen e pagës gjatë grevës, për aq sa korrespondon me periudhën e grevës, kjo përbën kufizim të lejuar me ligj dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe përbën rregullim të ngjashëm me vendet tjera të bashkimit evropian. Ju njoftojmë po ashtu se në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, (ndër të tjera në Francë, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Islandë, Lituani, Maltë, Poloni) përgjatë kohës së grevës kontratat pezullohen, konkretisht dy detyrimet kryesore që rrjedhin prej saj: detyrimi për të punuar dhe e drejta për t’u paguar”, thuhet në opinionin që ka dhënë Drinas Zeqiraj, udhëheqës i Divizionit për Hartim dhe Harmonizim të Legjislacionit në Ministri të Financave, Punës dhe Transfereve.

Sipas tij zbritja e pagave korrespondon vetëm me periudhën e orëve që nuk është punuar, prandaj ka thënë se është e domosdoshme që të evidentohet saktë numri i orëve që nuk është punuar.

Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, të martën tha se MF-ja nuk ka obligim të paguajë grevistët, dhe se ky obligim i takon sindikatave.

{gallery}