Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Meta në Selinë e Shenjtë bisedon me Papa Françeskun

Kreu i Shqipërisë Ilir Meta është pritur sot në një audiencë të posaçme nga Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan

Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike” – nënvizoi Meta.

“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,” vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë.

Edhe Papa Françesku priti në audiencë private presidentin Thaçi Arbëri Papa Françesku priti në audiencë private presidentin Thaçi

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme që merr në ditët e sotme modeli shqiptar i harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, si dhe ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e mëtejshëm të kësaj vlere në mbarë botën.

Një mirënjohje të veçantë Presidenti Meta e shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Kosovës dhe, ku padyshim lartësimi në ditën e Shën Terezës së Kishës katolike të Prizrenit në Dioqezë, përbën një akt domethënës jo vetëm për komunitetin katolik të Kosovës, por për mbarë shqiptarët, transmeton tch.

Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të.

Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.

“Evropa po përjeton një dimër demografik,” – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta.

Edhe “Askush nuk mund të përdorë Zotin për të shkaktuar dhunë” Shtojca për Kulturë “Askush nuk mund të përdorë Zotin për të shkaktuar dhunë”

“Rrallë kam parë”, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, “aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.”

Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij.