Arbëri

Mësimdhënësit e Kosovës nuk i mbajtën maskat gjatë trajnimit në Durrës

Pa maska e distancë disa mësimdhënëse u panë në një hotel të Durrësit, në sallën ku po mbahej trajnimi, e njëjtë edhe në një foto të publikuar. Me ta shihej edhe kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Në mesin e mijëra qytetarëve të cilët ditët e fundit pas ashpërsimit të masave vendosën të qëndronin në Shqipëri, ishin edhe disa mësimdhënës. Për katër ditë ata qëndruan në hotelin “Bonita” në Durrës.

Pa maska e distancë ata u panë në sallën ku po mbahej trajnimi, e njëjtë edhe në një foto të publikuar. Me ta shihet edhe kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jashari, të ulur afër njërit tjetrit.

Shkuarjen në Shqipëri në kohën kur vendi ka vendosur masa të ashpërsuara dhe ka ndaluar aktivitetet e tilla, kryesindikalisti i arsimit, po e arsyeton me faktin se ky trajnim ishte i aranzhuar dhe duhej të përfundonte.

“Ne deri tani kemi pasur pesë trajnime të licencuara nga Këshilli Shtetëror i Licencimit dhe ato trajnime me kohë i kemi përgatitur edhe vitin e kaluar. Ndërsa po kësaj here, po ky këshill na ka licencuar edhe një trajnim që është për klasat nga 1 deri në 5. Dhe është e zakonshme që para se të fillojmë të punojnë më mësimdhënësit t’i testojmë dhe t’i angazhojmë trajnerët që janë në listën e trajnerëve”, ka thënë Jashari

E ndonëse në fotot e publikuara, sidomos në njërën ku shihet stafi brenda një lokali, shihet se janë mbi 10 persona të ulur afër njëri-tjetrit dhe pa maska, Jashari thotë se ata u munduan të respektonin masat e Qeverisë, ndonëse të njëjtat nuk janë në fuqi në Shqipëri.

“Nuk po them se ne jemi ata që do ta respektonim atë 10-shin e Qeverisë, por fati ka dashur që ishte vetëm një trajnim dhe ky trajnim nuk kishte më shumë se 10 trajnerë nga regjionet e Kosovës. Jemi munduar t’i respektojmë masat e qeverisë së Kosovës. Në Shqipëri nuk ishin këto masa të kufizimit, por ne insistuam që të kishim një sallë më të madhe”, ka thënë më tutje Jashari.

Në takimin e fundit që Jashari kishte me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte deklaruar se ata do të zbatojnë vendimet e Ekzekutivit, pasi që primar, sipas tij, vazhdon të mbetet shëndeti i nxënësve dhe i punëtorëve të arsimit.