Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Merr detyrën shefi i ri i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Davenport

Diplomati britanik, Michael Davenport, do të marrë të hënën detyrën e shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Siç merr vesh Koha, ambasadori Davenport është përzgjedhur për të udhëhequr misionin e OSBE-së në Kosovë qysh në muajin shkurt, dhe prej të hënës, 22 mars, ai merr detyrën në selinë e misionit, në Prishtinë.

Davenport, që më parë ka shërbyer si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, e pason në krye të misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadorin norvegjez, Jan Braathu, i cili tashmë ka marrë detyrën e shefit të misionit të OSBE-së në Serbi.

Derisa OSBE ende zyrtarisht nuk e ka dhënë njoftimin për zgjedhjen e Davenport, ardhja e britanikut në krye të misionit në Prishtinë është konfirmuar nga misioni i SHBA-së në OSBE, i cili në deklaratën e përbashkët në emër të 24 vendeve anëtare para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, pas raportimit të rregullt të ushtruesit të detyrës së shefit të OSBE-së në Kosovë, Killian Wahl, ka përmendur z. Davenport si shef i ardhshëm i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Zgjedhja e shefit të ri të misionit në Kosovë është iniciuar qysh vjeshtën e kaluar.