Problemet me të cilat ballafaqohen mërgimtarët për t’u pajisur me dokumente nëpër ambasadat e Kosovës janë të shumta. Njëri prej mërgimtarëve, me banim në Londër, është ankuar se tash e tre vjet nuk po arrin që të vazhdojë vlefshmërinë e pasaportës dhe të dokumenteve të tjera. Për rastin ai i ka njoftuar të gjitha institucionet, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, porse sqarime ka thënë se nuk ka marrë
Janë mbushur tre vjet që kur një mërgimtar nga Anglia ka aplikuar për ripërtëritjen e dokumenteve të Kosovës nëpërmjet Ambasadës së Kosovës, porse nuk ka marrë përgjigje.
Xhemajl Bytyqi, i cili jeton në Londër, është ankuar se tash e tre vjet gruaja e tij, Vlora Bytyqi, nuk po mund ta vazhdojë vlefshmërinë e pasaportës së saj të Kosovës. Ai ka thënë se për rastin i ka njoftuar të gjitha institucionet, përfshirë Zyrën e kryeministrit, porse deri tash nuk i është bërë zgjidhje.
“Gruas i ka skaduar afati i pasaportës dhe i letërnjoftimit. Kur kemi shkuar në Ambasadë për ta vazhduar, na kanë thënë se duhet kërkuar një dëshmi se ka lindur në Pejë. Por ajo e ka pasaportën e Kosovës, letërnjoftimin dhe certifikatën e martesës. Kemi kërkuar sqarime me shkrim prej Ambasadës në Londër, por kurrfarë përgjigjeje nuk kemi marrë”, ka thënë Bytyqi.
Në lidhje me rastin, KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ambasadën në Londër, porse përgjigje nuk ka marrë.
Një burim i ka thënë KOHËS se tashmë shtatë muaj nuk ofrohen shërbime konsullore në Londër, për shkak të mungesës së zyrtarit përgjegjës.
Bytyqi ka fajësuar edhe Komunën e Pejës për neglizhencë në dhënien e dokumentacionit të kërkuar. Zyrtarët në këtë Komunë kanë thënë se nuk janë në dijeni për rastin, teksa kanë përmendur rrugët ligjore që palët mund t’i ndjekin.
Edhe
MPJD-ja ndërpret kontratën me operatorin për shërbimet postare diplomatike
“Nëse nuk arrin ta marrë, le ta lypë vendimin pse s’po e merr, le ta lypë përgjigjen në vendim se pse nuk ka mundur ta realizojë. Le të ankohet në instanca të tjera. Për mua është rast i panjohur. Janë procedura që i rregullon tjetër kush”, ka thënë Shefqet Thaçi, menaxher i sektorit të gjendjes civile në Komunën e Pejës.
“Nëse ajo ka prova materiale për ta marrë shtetësinë e Kosovës, ka forma të tjera që mundet të aplikojë dhe për gjithçka mund të marrë përgjigjen negative, në afat ligjor. Nëse mendon se iu ka bërë e padrejtë, është instanca e Ministrisë së Punëve të Brendshme që vendos dhe kryhet si lëndë”, ka shtuar ai.
Kjo nuk është hera e parë që mërgimtarët ankohen për vonesa në marrjen e dokumenteve të Kosovës. Ankesat ishin shtuar në periudhën kur Ministria e Jashtme kishte shkëputur kontratën me kompaninë që e bënte shpërndarjen e dokumenteve nëpër ambasada dhe konsullata. KOHA ka raportuar se pasi Donika Gërvalla e mori drejtimin e Ministrisë, ajo kishte vendosur që rolin e postierit ta kryente vetë Ministria, duke mos kontraktuar kompani postare. Kjo ishte bërë nëpërmjet angazhimit të shoferëve që t’i shpërndanin dokumentet nëpër ambasada dhe konsullata. MPJD-ja kishte pasur edhe një kontest gjyqësor me kompaninë që ofron këto shërbime - DHL. Megjithëkëtë, kontesti me borxhin prej 60.000 eurosh nuk e ka penguar Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta përzgjedhë kompaninë e njëjtë për ofrimin e shërbimeve postare.