Ish-deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli, që në skenën politike të Kosovës është tash e 30 vjet, në Intervistën e radhës në KOHA.net ka folur për gjendjen aktuale politike në Kosovë, për Tribunalin Ndërkombëtar që do të gjykonte krimet serbe, vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, idetë që i cilëson mashtrim të presidentit Thaçi për bashkim të Luginës me Kosovën e Bashkim Kombëtar, mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe situatën në LDK.
Tërmkolli në Intervistën e Javës në Koha.net gjendjen aktuale e ka vlerësuar konfuze, kaotike e me pasoja të rënda për zhvillimin e vendit. Ka drejtuar kritika të shumta ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për të cilin ka thënë se me idetë e tij të fundit, po i hap rrugë zhbërjes së shtetit të Kosovës.
“Kësaj gjendje, me këtë qeverisje, duhet t’i jepet fund dhe të gjendet zgjidhje sa më shpejtë”, tha Tërmkolli.
Iniciativën që ndërmori kryeparlamentari Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar, e ka quajtur jo serioze.
Iniciativa për Tribunalin, joserioze
“Këto iniciativa ose janë të vonuara ose ad-hoc. Jo që dalin të jenë vetëm jo serioze por edhe mashtruese. Kemi pasë kohë që 20 vjet me nisë procese për dënimin e krimeve e gjenocidit serbë në Kosovë. Gjykatat tona dihet në çfarë gjendje janë, janë totalisht të uzurpuara nga kjo nomenklaturë politike, nga ky koalicion qeverisës, e si pasojë e kësaj erdhi edhe ideja për formimin e Gjykatës që do të gjykonte krimet serbe”, tha ajo.
E ka quajtur joserioze edhe formimin e komisionit parlamentar, që u propozua nga PSD-ja e më pas u miratua në seancën e Kuvendit, i përbërë nga anëtarë të të gjitha partive politike për harmonizimin e qëndrimeve për ta trajtuar seriozisht çështjen e gjykimit të krimeve serbe.
“Kjo është më shumë se joserioze. Ne në vend që t’i luftojmë këto krime duket se vetëm po i shtojmë, po e trashim krimin. Një komision parlamentar, nuk ka e as nuk mund të ketë asnjë lloj kompetence për të bërë diçka të tillë. Njerëzit që kanë një grimë mend të çfarëdo niveli e dinë që një komision i tillë s’mund të ngrisë Tribunal për krime lufte. Kjo është e dështuar dhe është mashtrim edhe me ndjenjat e familjarëve të të pagjeturve e atyre që i kanë vrarë, por edhe me krejt Kosovën sepse kemi të bëjmë me gjenocid”, tha ajo, duke shtuar se është kaluar çdo kufi i asaj që do të mund të quhej normalitet i sjelljeve politike të institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre.
“Kjo urgjentisht duhet të ndalet sepse vazhdimi më tutje i të bërit politikë në këtë mënyrë, këtë shtet, thjesht është në rrugë për ta zhbërë. Ky është problemi më i madh me të cilin po përballemi ne”, tha tutje Tërmkolli.
Qëllimi i vetëm i Thaçit, zhbërja e shtetit të Kosovës
Ish-deputetja Tërmkolli ka folur edhe për idetë e presidentit Hashim Thaçi, njëherë për bashkimin e Luginës me Kosovën e më pas bashkimin me Shqipërinë. Por, me këto ide ajo thotë se Thaçi ka qëllimin e vetëm zhbërjen e Kosovës.
“Thaçi nuk ka ndryshuar asgjë, janë dy anë të së njëjtës medalje. Qëllimi i tij është i njëjtë, është zhbërja e shtetit të Kosovës. Me këtë udhëheqje politike të kriminalizuar deri në fund, janë prishur raportet edhe me ndërkombëtarët. Idetë herë për bashkimin e Luginës me Kosovën e herë me Shqipërinë veçse çojnë kah ndarja e Kosovës. Janë veç pallavra që presidenti përpiqet me krijua një lloj hutie që më as atë s’po mundet sepse është demaskuar aq shumë saqë më s’mund të mashtrojë. Por, këto janë përpjekje të dëmshme”, tha Tërmkolli, duke shtuar të dyja këto ide të Thaçit e kontestojnë pavarësinë e Kosovës.
Këtu është ndërlidhur me marrëveshjen e Martti Ahtisaarit, ku ndër tjerash, në një formulim ku ishte thuajse kusht për njohjen e shtetit të Kosovës, ka qenë që “Kosova as nuk mund të bashkohet me dikë tjetër e as të ndahet e t’i jepet dikujt tjetër”.
“Ne nuk po mundemi të eksportojmë 10 kg patate në Shqipëri e këta flasin pallavra për Bashkim Kombëtar”, tha tutje ajo duke iu referuar rasteve të fundit ku shumë patate mbetën në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Në Kosovë mos të ketë Asociacion
Ish-deputetja Tërmkolli është pajtuar me atë se në Kosovë nuk mund të bëhet Asociacion i komunave serbe.
“Është politikë që direkt e ka zhvilluar atë kohë kryeministri Hashim Thaçi dhe e vazhdoi si president. S’mund të bëhet sepse i ka dhënë kompetenca ekzekutive serbëve që ka rreziqe ta shkel Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.
Evropa s’ka ndryshuar por po sheh, ky shtet është kriminalizuar
Tërmkolli thotë gjithashtu se duhet t’i jepet fund kritikave se Evropa është kundër nesh dhe të gjuhet faji gjithnjë te ndërkombëtarët.
“Po kjo Evropë na përkrahu kur ishim para shuarjes si popull, para një gjenocidi. Krejt kjo Evropë e bota perëndimore u ngrit në mbrojtje të Kosovës. Por, çfarë ndodhi më pas? Evropa nuk është kundër nesh. Ka një problem që ne edhe tutje po përpiqemi ta fshehim para vetes. Evropa nuk ka ndryshuar karshi neve por Evropa po sheh! Ky shtet është kriminalizuar, institucionet janë kriminalizuar. Janë uzurpuar shtyllat më të rëndësishme të shtetit. Gjithë pasuria e Kosovës është duke u grabitur nga një grup dhe kemi ardhur në një situatë që as Evropa as askush s’mund të të ndihmojë kur ne vet sillemi kështu ndaj pasurisë sonë. Ky shtet duhet të dekriminalizohet”, tha Tërmkolli.
Tërmkolli: Kush flet për statusin e Kosovës, përfundimi është shkatërrimi i shtetit
Ka folur edhe për Samitin e Parisit që pritet të mbahet gjatë muajit korrik, dhe ka thënë se pret të jetë shumë më ndryshe nga ai në Berlin.
“S’mund të them që do të ketë zgjidhje sepse nuk do të ketë. Mund të ketë kornizë se si shihet përfundimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndoshta përpjekjet e Thaçit dhe shtysat e Serbisë e Rusisë mund të lëvizin edhe në kahe tjetër. Ideja për korrigjim kufijsh, që po thuhet se është varrosur, nuk është shuar, sado që presidenti po i ndërron fjalët”, tha ajo.
Ka thënë se kushdo që flet për projekte që lidhen me territorin e Kosovës, apo ndryshim statusi, “përfundimi është shkatërrimi i shtetit të Kosovës”.
Tërmkolli: Qeveria të bie, vendi të shkojë në zgjedhje
Ndonëse e ka vlerësuar qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se u ka qëndruar ballë ideve për shkatërrimin e Kosovës, këmbënguljen për taksën e të tjera, ka thënë se Qeveria duhet të bie e vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ka aq shumë veprime të dëmshme nga kjo Qeveri saqë është e pakuptimtë të vazhdojë më tutje. Takimet e fundit mes liderëve në opozitë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë është iniciativë më serioze. Besoj se do të realizohet, ndoshta jo shumë shpejtë, por brenda pak muajsh do të hyjmë në proces të ri zgjedhor. Kjo Qeveri duhet të bie, ky koalicion nuk guxon më tutje të funksionojë sepse po e shkatërron Kosovën”, tha ajo.
Për zgjedhjet e brendshme në LDK, kurdo që do të mbahen ato, ka thënë se nuk e di kush do të vijë në krye të kësaj partie, por, në udhëheqje duhet të vijnë persona që në radhë të parë do ta luftojnë krimin e korrupsionin e sjellin drejtësi.