Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mehmeti: Rreth 17% e qytetarëve në Kosovë jetojnë me 1,82 euro në ditë

Rreth 17% e popullatës në Kosovë jetojnë në varfëri, ka bërë të ditur Jeton Mehmeti, drejtor i Hulumtimeve në Institutin “GAP”.

Mehmeti ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se kjo nënkupton se kjo pjesë e qytetarëve jeton me 1,82 euro në ditë.

“Varfëria nuk mund të zgjidhet vetëm me një vendim, çrrënjosja kërkon një përkushtim më të madh në të gjitha sferat e zhvillimit të një vendi, por kemi parë ato pakot që janë ndërmarrë në dy vitet e fundit, pakoja emergjente, për rimëkëmbje ekonomike dhe ringjallje ekonomike. Aty kemi parë që vetëm këtë vit janë dhënë mbi 62 milionë euro për pensionet dhe asistencë sociale. Pra është ndarë një shumë goxha e madhe. Termi i varfërisë, sipas asaj se çka nënkupton nga banka botërore, është niveli i varfërisë dhe varfëri e skajshme. Nivel i varfërisë nënkupton personin që jeton me 1,82 euro në ditë dhe në këtë kategori janë rreth 17% e popullatës në Kosovë, që i bie një numër shumë i madh i qytetarëve që jetojnë në varfëri”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës që asnjë pension në Kosovë të mos jetë nën shumën 100 euro, është i mirëpritur nga pensionistët, ndonëse siç ka thënë, është prapë shumë e ulët duke pasur parasysh nevojat e tyre.

“Kemi parë dy pakoja gjeneroze në aspektin e financimit. Në të dyja këto mirëqenia sociale ka marrë një pjesë të madhe të vëmendjes meqë kategoritë që janë prekur më së shumti janë këto që nuk kanë pasur burime të tjera alternative. Janë disa indikacione që kjo kategori ka marrë vëmendje”, ka thënë Mehmeti.