Murat Mehmeti, ish-hetues i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se institucioni i Policisë së Kosovës është ndërtuar nga ish-zyrtarët policorë dhe ish-ushtarët, derisa sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin vendosur për gradat kur ishin në pushtet.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se Shërbimi policor i Kosovës ishte ndërtuar nga qeveria e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi dhe qeveria e përkohshme, duke thënë se një pjesë ishte krijuar nga krahu i luftës, e tjetra pjesë nga ajo e ish-policëve.
“Policia është formuar nga ish-policët, 49 për qind e krahu i luftës që ishin ushtarë të UÇK-së dhe 20 për qind që ishin qytetarë. Kur është ndërtuar skeleti i parë, menaxherët e parë, së pari ka pasur avancim në grada rreshteri. Kanë qenë nga dy krahë, këta të PDK-së dhe këta të LDK-së. Dy qeveritë. Qeveria Bukoshi dhe qeveria e përkohshme. Eprorët e parë që i kemi marrë si rreshterë janë njerëz që s’kanë kaluar asnjë test, por janë graduar direkt e është krijuar balanca e ndarjes së pushteteve”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka shtuar se secili zyrtarë që atëbotë ka marrë gradën e kolonelit ka favorizuar individë të caktuar.
Ish-hetuesi në Polici: Në Dubravë nuk gjen asnjë të burgosur që është i pasur
Murat Mehmeti, ish-hetues i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se personat e pasur në Kosovë nuk përfundojnë në burgje nëse kanë kryer vepra penale.
Ai ka thënë në “Konfront” se po të shikohet gjendja ekonomike e të dënuarve, më të varfrit janë të burgosur.
“Merre gjendjen ekonomike të njerëzve të dënuar në Kosovë. A do ta gjesh një njeri që ka para në burg. S'hyn askush në burg në Kosovë për këto punë”, ka thënë Mehmeti.
Koci: Rreshteri Gashi s'ishte në tubimin e PDK-së, por në një ndejë me mërgimtarët
Arianit Koci, avokat i hetuesit të krimeve ekonomike Idriz Gashi që u suspendua nën dyshimin se mori pjesë në tubim parazgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ai s’ka qenë në tubim por në një ndejë me mërgimtarët.
Sipas tij, kjo ndejë me mërgimtarët është zhvilluar në hapësirën e njëjtë, disa orë pas tubimit të PDK-së.
“Rreshteri Gashi i heton disa raste të korrupsionit të lartë. Por jo vetëm të Qeverisë së tashme, por të të gjitha qeverive. Pak para emisionit, i kam nxjerrë krejt rastet që kjo task-forcë i ka hetuar. Gashi është i fshatit Rezallë, disa kilometra prej Skenderajt. Në lagjen Delija e kanë një hapësirë të përbashkët për të cilën kanë dhënë para të gjithë fshati, dhe e shfrytëzon për të pame apo mbledhi. Në atë hapësirë ka pasur PDK-ja një tubim elektoral. E ka kryer PDK-ja tubimin, pas tri orësh është bë një ndejë për shkak të disa bashkatdhetarëve të Rezallës që kanë ardhur. Edhe ai është nga aty dhe ka shkuar me vonesë, e më kanë treguar edhe njerëzit tjerë që ka shkuar i fundit. Në atë hapësirë ka ardhur dhe ka dëgjuar muzikë”, ka thënë Koci në “Konfront” të KTV-së. “Ai nuk shkon në tubime, por është i rrethit të Skenderajt që 90 për qind janë PDK, sipas përshtypjeve tona në Prishtinë. Ky s’ka qenë në tubim ka shkuar pastaj, dikush e ka shfrytëzuar dhe e ka fotografuar”.
Ai është ankuar edhe për mënyrën e suspendimit të policit Gashi.
Sipas tij, kur është ftuar, Gashi i kishte përgatitur dëshmitë dhe dëshmitarët, por nuk i është dhënë rasti fare dhe vetëm i është dorëzuar letra e suspendimit.
Koci ka thënë se Gashi s’ka marrë thirrje as nga eprorët e njësitit dhe se kjo tregon se “në Polici hetuesit janë nishan dhe askush askëndin nuk e mbështet”.
“Pse janë nishan? Sepse kushdo që është në hetime, sidomos për korrupsion sulmohet prej partive. Tash po sulmohet prej VV-së siç po thonë mediat sepse ata janë në pushtet. Por kjo task-forcë ka pas problem edhe me PDK-në edhe me LDK-në”, ka shtuar Koci.
Ramaj: Gjuha e Qeverisë ndaj hetuesve policorë dhe prokurorisë, shqetësuese
Gazetarja Saranda Ramaj ka kritikuar Qeverinë për qasjen e saj ndaj hetuesve policorë dhe Prokurorisë Speciale.
Në “Konfront” të KTV-së, Ramaj ka thënë se gjuha e eksponentëve të Qeverisë është shqetësuese në këtë aspekt.
“Gjuha e qeverisë është shumë shqetësuese. Sa herë e dëgjoj ndonjë eksponent të Qeverisë për mënyrën se si i qaset prokurorisë speciale apo task-forcës. Prokurorët specialë duhet ta kenë pavarësinë e jo të bëhen kaq lehtë cak i sulmeve”, ka thënë ajo.
Ramaj ka thënë se megjithatë, prania e disa njerëzve joprofesionistë në këto dy institucione po ia forcojnë argumentin pushtetit.
“Për shembull, e kam lexuar aktakuzën e zotit Nagip Krasniqi të KEK-ut. Më ka lënë përshtypje se për disa muaj është diskutuar jeta personale e zotit Krasniqi. Më ka lënë shije të keqe. Kam pas kureshtje të jashtëzakonshme ta lexoja aktakuzën dhe më interesonte që ato që janë thënë për jetën e tij personale që në një moshë të caktuar mund të hyjnë në domenin e sulmit seksual, nuk janë përfshirë në aktakuzë. Pse duhet të bëhet pjesë e diskutimit publik një çështje ose të dhëna komplet personale apo intime. Pra kanë rrjedhë nga hetimet. Edhe hetuesit duhet të jenë të kujdesshëm se si e menaxhojnë informatën. Në momentin kur e merr një telefon të personit që je duke e hetuar, ato të dhëna duhet të mbrohen me fanatizëm sidomos të dhënat personale në një demokraci. Ajo që po dua ta besoj është se nuk është sistematike, por se ka joprofesionistë brenda institucionit edhe të Prokurorisë edhe task-forcës që bëjnë lëshime të tilla dhe që e forcojnë argumentin e Qeverisë, që besoj se nuk është valid, por e bëjnë”, ka thënë ajo.
Ramaj ka thënë se polarizimi i skajshëm politik aktual është shumë i dëmshëm. Ajo ka thënë se aktualisht në Kosovë polarizimi është aq i thellë sa “ose duhet të jesh patjetër me VV-në ose me PAN-in”.