Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Media serbe “e di pse në Kosovë gjendet avioni vëzhgues i SHBA- së”

Komentuesi ushtarako-politik i Beogradit, i njohur me qëndrimet e tij hegjemoniste serbe e proruse, Miroslav Lazanski, ka thënë se dje në Prishtinë ka aterruar avioni vëzhgues amerikan "MC-12 Liberty", transmeton Koha.net.

Lazanski ka deklaruar për televizionin serb "tv pink" se avioni ka aterruar për t’i mbikëqyrur drejtimet alternative në kufirin e Kosovës me Serbinë në veri.

“Amerika ka 13 avionë të tillë për vështrim, vëzhgim dhe veprimtari informative. Mendoj se në përdorimin operativ është futur në vitin 2009. Këta avionë për herë të parë janë përdorur në Irak. Ai i ka dy anëtarë ekuipazhi dhe me siguri ka ardhur për të parë dhe hetuar pozicionet e Ushtrisë së Serbisë në pjesën e saj jugore”.

Duke komentuar mundësinë e shpërthimit të konflikteve në Ballkan, Lazanski ka theksuar se nuk do të ndodhë asgjë.

“Nuk do të ketë kurrfarë luftërash në Ballkan. Së pari për shkak se për to nuk ka kapacitete, së dyti askush s’iu gëzohet atyre dhe së treti është naive të besohet se Amerika e Rusia do të nisin luftën për dhe rreth Ballkanit”.