Publikimi i raportit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, si një nga zotimet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington, sipas anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi, paraqet indikator që marrëveshja ka qenë valide.
Ai ka thënë se me publikimin e këtij raporti, SHBA-ja po i zbaton zotimet e saja.
“Është indikator i fuqishëm që marrëveshja është valide në secilën shkronjë, fjalë e palë nënshkruese që ishin Kosova, Serbia e SHBA-ja. Raporti tregon që një nga pikat e marrëveshjes është përmbushur nga pala amerikane. Rekomandimet janë ato që shpërfaqin mundësitë më të mira që çështja e Ujmanit të zgjidhet në mënyrën që i ndihmon Kosovës dhe procesit të finalizimit të marrëveshjes që pritet të bëhet me Serbinë, e që nga administrata amerikane është thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke”, ka thënë ai për raportin që doli nga Marrëveshja e nënshkruar nën administratën e ish-presidentit Donald Trump. “Ka pasur ndryshim administratash, por politika e jashtme e SHBA-së, s’bëhet në hapa afatshkurtër”.
Për rekomandimin që për Ujmanin të përdoret modeli i Traktatit të lumit Columbia në mes të SHBA-së dhe Kanadasë, Bislimi ka thënë se dallon sfondi i shteteve.
“Siç e dini, liqeni i Ujmanit është pjesërisht në dy territoret e shteteve fqinje, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Në një marrëveshje finale për njohjen reciproke do të determinonte edhe vijën kufitare e cila domosdoshmërisht do të prekë edhe liqenin e Ujmanit. Ajo që thuhet edhe në raportin e Departamentit për Energji, shembulli që jepet nga lumi Columbia është shpjegimi më i mirë i mundshëm që mund t’i bëhet një çështjeje që ishte politizuar shumë te ne, si zgjidhje që qe mplementuar mes dy shteteve në SHBA dhe Kanada dhe s’ka sjellë asnjë problem. E di që s’po flasim tash për dy shtete miqësore, por për dy shtete që në shekullin e fundit kanë pasur përplasje të mëdha me njërën palë si agresore e tjetrën viktimë. Dallon sfondi i dy vendeve, mirëpo kauza apo mundësia e zgjidhjes së problemit është model shumë i mirë që besoj se ekspertët amerikanë e kanë studiuar mjaftueshëm për ta nxjerrë si rekomandim. U takon palëve që më pas të merren e të shohin”, ka shtuar ai.
Sipas tij, me këtë raport sqarohet “si kristali që zotimet s’kanë qenë të njëanshme të të dyja palëve”.
“Janë në dy letra të ndryshme, e qartë, por me SHBA-në. SHBA-ja po i rri e përgatitur implementimit të tyre. Unë nuk shoh ku është humbja që Kosova ka pësuar nga marrëveshjet me SHBA-në”, ka shtuar ai.
Ai ka refuzuar ta komentojë heshtjen e institucioneve të Kosovës për raportin e publikuar nga SHBA-ja.