1 shtatori i gjeti shkollat e mbyllura në Kosovë. Vetëm pak nga to hapën dyert për nxënësit, ndërkaq ata mësimdhënës që u përcaktuan të mbanin mësim u përballën me presionin e sindikalistëve për t’u përfshirë në grevë. E, në Prishtinë, një mësuese u përkujdes që të mos ua mohojë gëzimin e 1 shtatorit fatosave.
Në mesditën e së enjtes Donjeta Bajraktari e shoqëroi djalin e saj për në shkollën “Dardania” në kryeqytet. Ai priste që më 1 shtator të ulej për herë të parë në bankën shkollore, por ndjesinë e fatosit ia mohoi greva në të cilën kanë hyrë shumica e mësimdhënësve.
“Mësuesja e tij nuk ka ardhur. Nuk na kanë lajmëruar as që nuk vinë, as a me ardhur a jo. Kështu që nuk e di, ndjenjë e përzier do me thanë as me u gëzu plotësisht që po e fillon fëmija klasën e parë, mësuesit i kanë arsyet e veta pse po mbajnë grevë. Qeveria nuk e di pse nuk po iu përgjigjet kërkesave, ose me u marrë vesh se ata që po e pësojnë janë fëmijët”, ka thënë Bajraktari.
Edhe Kaltrina Shala, e cila e solli djalin për në klasën e dytë, qëndroi më kot në oborrin e shkollës.
“Ne nuk pajtohemi fare dhe për këtë arsye kemi ardhur. Mendoj që mësimdhënësit paguhen mjaftueshëm ndërsa sektori publik është shumë dobët. Po besoj që kanë mundur më herët me e mbajtë këtë grevë apo diçka tjetër dhe jo tash kur fëmija fillojnë shkollën”, ka deklaruar Shala.
Astrit Kasapolli është mësimdhënës dhe përfaqësues i Sindikatës në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë. Ai thotë se kjo situatë është pasojë e mungesës së dialogut të Qeverisë me sindikatën.
“Edhe vetë jam prind, i kam fëmijët, sidomos djalin në klasën e parë edhe po e përjetoj vetë qasjen qysh ka me pasë nesër ai fëmijë që tash po kërkon me shku në shkollë. Nuk është mirë. I bëj apel edhe Qeverisë, edhe SBASHK-ut që të ulen dhe të dakordohen dhe të flasin. Ne jemi njerëz dhe duhet të merremi vesh. Jo me kokëforësi, jo me gjeste fëmijërore. Hekuran Murati qysh dëgjova mbrëmë për mosekzekutim të pagave është gjest shumë i ulët”, ka thënë Kasapolli, përfaqësues i sindikatës së shkollës “Naim Frashëri”.
Por, jo të gjithë mësimdhënësit viktimizuan fëmijët, për t’i mbërritur qëllimet që lidhen me pagën.
Elena Stublla është e vetmja mësuese e shkollës “Dardania” që i priti fëmijët dhe mbajti mësimin.
“Nuk ka vlerë monetare që mund ta mbulojë këtë ndjenjë që po e shihni ju, buzëqeshjen e këtyre fëmijëve. Kam pasur shumë debate, kam pasur shumë takime me njerëz, por takimi i sotshëm me ta është diçka ndryshe. I tërë trupi po më dridhet nga emocioni”, ka thënë Stublla.
“Shumë jam gëzuar edhe shumë jam gëzuar me taku shoqe edhe shokë”, ka thënë nxënësja Ajana Gashi.
Përpos në klasën e mësimdhënëses Stublla, në kryeqytet mësimin e ka zhvilluar shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokoli”. Në disa të tjera është raportuar për ushtrim presioni mbi mësimdhënës, me qëllim që kundër vullnetit të tyre t’i përgjigjen thirrjes së sindikatës për grevë.