Me arsyetim se ka keqmenaxhuar Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar i është ndërprerë marrëdhënia e punës shefit shumëvjeçar të këtij institucioni, Rrahim Rama.
Kabineti i ministres së Drejtësisë ka bërë vlerësim të punës se tij, duke identifikuar disa shkelje.
Në kopjen e raportit të siguruar nga KOHA përmendet se veturat e sekuestruara ose konfiskuara duhet t’i jepen në shfrytëzim Qeverisë. Sipas raportit, disa vetura u janë dhënë institucioneve të tjera e disa janë ndalur brenda këtij institucioni.
Veturat e konfiskuara janë shitur.
Kabineti i ministres Haxhiu vlerëson se një gjë e tillë është bërë pa vlerësim të detajuar.
Sipas këtij raporti, te shitja e veturave nuk është marrë parasysh edhe viti i prodhimit, duke rezultuar me shitjen e veturave te personat me mbiemra të njëjtë.
Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar nga Rama listën e personave që janë punësuar në këtë agjenci. Raporti thotë se Rama ka refuzuar ta ofrojë këtë listë. Në dokument thuhet se ka dyshime se të punësuarit janë militantë partiakë.
Në raport përmenden edhe shkelje të tjera. Përfshirë edhe emërimin e Ramës në këtë pozitë.
Ministria e Drejtësisë kishte iniciuar komision disiplinor për Ramën.
Komisioni Disiplinor i krijuar nga Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’ia shkëpusë kontratën Ramës.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Blerim Sallahu, këshilltar i ministres Albulena Haxhiu.
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar bashkëpunon me organet e drejtësisë për të menaxhuar pasurinë që konfiskohet e që është e fituar nga veprimet kriminale.
Rama, që është në këtë pozitë që nga viti 2011, nuk u është përgjigjur thirrjeve të KOHËS gjatë ditës për koment.