Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MD: Gërmimet në veri s’kanë të bëjnë me personat e zhdukur nga lufta e fundit

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se gërmimet e së mërkurës për gjetjen e eshtrave në dy lokacione në veri të vendit, nuk kanë të bëjnë me mbetje skeletore nga lufta e fundit.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ministri, thuhet se në aktivitet fushore të realizuara në veri të Mitrovicës, ndonëse në dy lokacione të ndryshme, ka të bëjë me të njëjtin rast.

“Pasi që rasti konsiderohet se është nën hetime, për më shumë detaje drejtohuni në zyrën e Prokurorit të Shtetit, regjionin e Mitrovicës ose në Komandën e Policisë, në Veriun e Mitrovicës. Për hir të ndjeshmërisë së çështjes së të pagjeturve, edhe njëherë e potencojmë faktin se aktiviteti i sotëm fushor, nuk ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit 98-99”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Policia dhe EULEX-i kanë nisur të mërkurën gërmime për gjetje të eshtrave në fshatin Suhodoll, por edhe në magjistralen Leposaviq-Zveçan. Gërmimet janë kryer pasi në Suhodoll autoritetet ditë më parë ndërprenë punimet për ndërtimin e një shtëpie, me pretendimin se gjatë gërmimeve afër truallit janë dëmtuar varreza të serbëve. Ndërsa në magjistrale janë kryer gërmime pasi dyshohet se kompania që punonte te shtëpia, ka hedhur në deponi mbetjet.