Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Skenderaj ua vë drynin dy ambulancave të sistemit paralel serb

Mbyllen dy ambulanca në Skenderaj, ishin pjesë e sistemit paralel serb

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy vendbanimet me komunitetin joshumicë serb në Banjë dhe në Syriganë, që funksiononin nën menaxhimin e strukturave paralele serbe. Pas vendimit, Lista Serbe kërkoi reagimin e ndërkombëtarëve, e Lushtaku tha ambulancat mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës

Komuna e Skenderajt ka mbyllur të premten dy objekte ku strukturat paralele të financuara nga Serbia, ofronin shërbime shëndetësore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj Komune, Sami Lushtaku, i cili ka publikuar edhe fotografi në të cilat shihet edhe vet në aksionin për mbylljen e tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas pranimit të informatave dhe verifikimit të tyre, kam lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy vendbanimet me komunitetin joshumicë serb në Banjë dhe në Syriganë, të cilat kishin filluar të funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe, jashtë rendit kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Lushtaku, në njoftimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka ndarë detaje edhe për gjëra që janë hasur brenda këtyre objekteve.

“Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se nuk do të lejojë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”, ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt.

Ndërkaq, Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe të Komunës së Skenderaj është ndërprerë puna e të dy ambulancave. Sipas kësaj partie, ndërprerja e punës “rrezikon drejtpërdrejt të drejtën për kujdes shëndetësor të popullit serb dhe të gjithë qytetarëve që kanë përdorur shërbimet e këtyre institucioneve shëndetësore”.

Në reagimin e kësaj partie është theksuar se janë njoftuar përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe vendet e QUINT-it, si dhe misionet e OSBE-së, EULEX-it, KFOR-it dhe UNMIK-ut, të cilëve u është kërkuar reagim urgjent.

“Rikujtojmë se përfaqësuesit ndërkombëtarë, para së gjithash përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Peter Sorensen, dhe Ambasada amerikane në Prishtinë, kanë theksuar qartë se nuk duhet të ketë ndërprerje të ofrimit të shërbimeve për qytetarët në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, dhe se çështja e funksionimit të institucioneve në këto fusha do të zgjidhet ekskluzivisht përmes dialogut, në bazë të marrëveshjeve të arritura dhe në marrëveshje me popullin serb”, thuhet në reagim.

Por, Lushtaku ka thënë se vendimi për mbylljen e të dy ambulancave nuk do të prapësohet.

“Këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim”, ka theksuar ai.

Institucionet paralele të arsimit e shëndetësisë që Serbia i mban ilegalisht në Kosovë, vazhdojnë ta ushtrojnë veprimtarinë pa u penguar, në të gjitha vendbanimet e populluara kryesisht me serbë.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin se edhe këto sisteme duhet të integrohen shpejt në sistemin e Kosovës, por kjo ka nxitur reagimin edhe të serbëve e edhe të ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar që çështjes t’i jepet zgjidhje në kuadër të dialogut.