Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbrojtja e Antigona Morinës kërkon përjashtimin e gjykatësit të rastit

Familja e Antigona Morinës, rasti i cili është kthyer në rigjykim, nuk po pranon që çështja të gjykohet përsëri nga gjykatësi i njëjtë, raporton KTV.

Përmes mbrojtjes, ata kanë kërkuar përjashtimin e gjykatësit Mizahir Shabani, i cili e kishte lënë të lirë Hilmi Zenën, ish-bashkëshorti i Antigonës, që akuzohet për shkelje të detyrimeve familjare.

Gjykata e Apelit, në muajin prill, kishte vendosur që rastin e vdekjes së Antigona Morinës ta kthejë në rigjykim. Kërkesa për përjashtim të gjyqtarit, sipas mbrojtjes, bazohet në parregullsitë, të cilat i ka lejuar i njëjti gjykatës në çështjen penale kundër Hilmi Zenës.

Këtë kërkesë, mbrojtja e ka dorëzuar më 17 maj në degën e Gjykatës së Gjakovës në Rahovec.

Kohavisioni e ka pyetur Gjykatën e Gjakovës nëse ka marrë ndonjë vendim por përmes një përgjigjeje elektronike, administratori i kësaj gjykate, Rudin Elezi, ka thënë se ata nuk kanë pranuar ende kërkesë për përjashtim të gjyqtarit. Kërkesa është iniciuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, që përsëri u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të gjykojnë rastin drejt. Seanca e parë e rigjykimit është caktuar më 4 qershor.

Artikuj të ngjashëm