Marrëveshja e Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin për Bekim Sejdiun si kandidat për president ka hasur në kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së. Kryetari i kësaj partie tha se qëndrimi i tyre rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje. Në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku ka thënë se deputetët që s’e mbështesin Sejdiun janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala e Janina Ymeri.
Ymeri: Me gjithë pasojat për pozitën time brenda LDK-së, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të Kurtit
Deputetja e LDK-së Janina Ymeri, e cila është deklaruar kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, ka thënë se ka vendosur të votojë kundër zgjatjes së pushtetit të Albin Kurtit.
“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij. Pushtet i komprometuar dhe antikombëtar”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
Ajo ka thënë se as Sejdiu nuk ka profil e pavarësi për të sjellë balancë pushteti.
“Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja. Shpresë ka kur njerëzit vendosin për një të ardhme më të mirë, dhe kjo ditë duhet të jetë e tillë. Do të qëndrojmë për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Ymeri.
Bajrami: Mbështetja nga qytetarët nuk më është dhënë për t’ia zgjatur pushtetin Kurtit
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë se nuk e ka deleguar votën te askush.
Ajo ka thënë se mbështetja që e ka marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk i është dhënë “për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”.
“Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arrit të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur”, ka shkruar Bajrami në një status në Facebook.
Ajo ka thënë se për të është e papranueshme që në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhen pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin, siç e ka cilësuar ajo, të koncentruar, Albin Kurtit.
“Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi. Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se emrat e diskutuar për president të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së.
Bajrami ka thënë se nëse nevojiten votat e tyre, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja. Pastaj mos të harrojmë se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht me zgjedhjen e presidentit sepse Kuvendi për shkak të LVV ka bërë shkelje kushtetuese dhe është kaluar afatin 30 ditor për konstituim”, ka shkruar Bajrami.
Abdixhiku: 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë gjashtë deputetë kanë thënë se nuk do ta votojnë për president kandidatin e propozuar Bekim Sejdiu.
Ai ka thënë se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë thënë se nuk do të votojnë për Sejdiun.
Abdixhiku ka thënë se po humbet një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe po dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kjo nuk ishte betejë me mua, beteja me mua përfundoi në Kuvendin e LDK-së. Ishte betejë për Republikën e Kosovës. Profesor doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm i propozuar nga LDK-ja dhe siguronte balancë institucionale e do të ndalonte çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe prëballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje...Konsideroj se fatkeqësisht pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në. E çdo palë zgjedhje të ardhme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoje edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, tha Abdixhiku.
Ai ka thënë se ka përshtypjen që çdo emër që do të propozohej do të merrte përgjigje të tillë nga 6 deputetët që refuzuan.
“Ka apetit të jashtëzakonshëm për të shtyrë agjenda që nuk janë të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se do të ketë masa disiplinore ndaj atyre që nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë së LDK-së.
“Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën. Të shkaktojmë edhe njëherë zgjedhje, kur kemi marrëveshje politike e kandidaturëserioze të mbarë e të mirë, me respekt të gjerë popullor. Kur kemi kapërcyer edhe veten, s’kemi kërkuar asgjë për veten vetëm që Kosova të ketë president të dinjitetshëm. Për beteja të paarsyeshme personale të rrënohet gjithë kjo mundësi. Jam i brengosur për pasojat e Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai ka deklaruar se LDK-ja do të marrë vendime ndaj atyre që nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë, por thotë se nuk është temë kjo.
“Secili njeri që nuk respekton vendimet e Kryesisë më së paku që do të duhet të bënte, nëse ndihet përfaqësues i LDK-së, nëse asgjë të dorëzonte mandatin e deputetit”, tha Abdixhiku. Ai tha se asnjërit nuk ia ka kërkuar këtë.
Ai ka thënë se i kërkon falje popullit të Kosovës për këtë, por nuk mundet më tepër.
Abdixhiku ka thënë se kur të thirret seanca ai do të jetë në seancë qoftë edhe i vetëm. Ka thënë se LDK-ja i ka vetëm 12 vota e nuk mund të sigurojë vota më tepër.
“Gjithë ata që janë përpjekur ta minojnë balancin demokratik, po i shërbejnë shtrirjes së pushtetit absolut nga një parti e vetme në Kosovë”, tha Abdixhiku. “Ndjej keqardhje e kërkoj falje. Kaq munda. Nuk mundem më tepër. Jo me këtë Grup Parlamentar, me këtë përçarje, me këtë ndarje. Nuk mundem më tepër”.
Abdixhiku ka thënë se Bekim Sejdiu ka qenë kuadër i LDK-së si ekspert dhe ishte zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese me vota të LDK-së.
“Unë e kapërceva veten, do të duhej secili ta bënte këtë. Këtë politikë madje as nuk mund ta përfaqësojë. Jam i pafuqishëm ta rregulloj një mendim të tillë që do me gjithë zemër të na dërgojë në zgjedhje”, tha Abdixhiku, ndërsa shtoi se beteja është dashur të bëhej në Kuvend.
Të hënën u njoftua për marrëveshjen e arritur mes LDK-së e VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të LVV-së kanë deklaruar se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Me 12 votat e LDK-së, ky numër do të arrinte në 74 deputetë.
Kjo nuk mjafton për zgjedhjen e presidentit.
Në dy raundet e para nevojiten të paktën 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, nëse në dy raundet paraprake në votim kanë marrë pjesë së paku 80 deputetë.
Kica-Xhelili: Vota ime në parim do të jetë për Bekim Sejdiun, nëse pajtohet Grupi Parlamentar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, nëse për këtë arrihet konsensus brenda Grupit Parlamentar të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Kica-Xhelili tha se qëllimisht nuk ishte deklaruar më herët për kandidaturën, pasi Sejdiun e njeh prej vitesh në aspektin profesional, që nga koha kur ishte e angazhuar si avokate dhe kur kishte raste që kishin përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë, le të themi, pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe natyrisht që kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe njerëzit e profesionit e kuptojnë që, pavarësisht që respektohen të gjitha vendimet e gjykatave në Kosovë, janë disa vendime që ne zakonisht i cilësojmë si pak më cilësore se të tjerat, në kuptimin se si ato analizohen dhe shkruhen”, tha ajo.
Ajo theksoi se pikërisht për shkak të njohjes së gjatë profesionale me Sejdiun, vlerësimi i saj për kandidaturën është edhe më i drejtpërdrejtë.
Megjithatë, ajo tha se çështja kryesore mbetet arritja e një konsensusi politik, pasi për zgjedhjen e presidentit kërkohet shumicë dhe mbështetje e mjaftueshme në Kuvend.
“Tani se si do të arrijmë apo a do të arrijmë që ta arrijmë një konsensus politik, sepse ju e dini që në fund të ditës vota duhet të jetë unanime në rastin konkret nëse ne me të vërtetë prodhojmë një president të Republikës së Kosovës, vlerësoj që kemi shkaqe që ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë. Vota ime në parim do të jetë ‘për’, nëse dakordohet edhe Grupi Parlamentar”, tha ajo.
E pyetur se si do të vepronte LDK-ja ndaj deputetëve që mund të mos e respektojnë vendimin e partisë për votën ndaj kandidatit për president, Kica-Xhelili tha se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë se dikush do të votojë kundër. Ajo shtoi se deri në momentin e votimit nuk mund të dihet me siguri se si do të votojë secili deputet.
Kica-Xhelili u pyet edhe nëse marrëveshja për kandidatin konsensual nënkupton se LDK-ja po e braktis kritikën ndaj qeverisjes së Albin Kurtit.
“Absolutisht jo! Edhe jam shumë e lumtur që unë jam ndër personat që insistoj dhe vazhdoj të insistoj që kemi të bëjmë me një qeverisje të udhëhequr nga një person i cili e ka pak vështirë ta kuptojë sistemin demokratik parlamentar dhe mendoj që ai vazhdon ta ketë këtë problem edhe në mënyrën se si sot e kësaj dite funksionon qeveria në detyrë”, tha ajo.
Sipas saj, Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe, në të njëjtën kohë, të anashkalohet vullneti i qytetarëve.
Quni: E mbështes kandidaturën e Bekim Sejdiut për president
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, para mbledhjes së Grupit Parlamentar ka deklaruar se e mbështet kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke e vlerësuar atë si një figurë me bagazh të fuqishëm familjar dhe individual, raporton Ekonomia Online.
I pyetur për emrin e kandidatit konsensual dhe marrëveshjen mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Quni tha se për këtë çështje ishte deklaruar një ditë më parë përmes një publikimi në Facebook.
“Unë dje jam deklaruar, kam bërë një publikim në Facebook lidhur me propozimin që ka dalë si punë e përbashkët në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Lëvizjes Vetëvendosje, edhe kam mbështetur kandidaturën e zotëri Bekim Sejdiut për president të ardhshëm. Përveç atyre fakteve që numërohen nga liderët partiakë dhe shumë të tjerë që e njohin nga afër, unë mundem me shtuar edhe disa çështje që unë i njoh, sepse afër meje, pasi që familjen Sejdiu e njoh që nga vitet ’90, do me thënë nga kohërat shumë të vështira për Kosovën, për popullin shqiptar, kur familjarët e, në fakt, disa burra nga kjo familje Sejdiu kanë marrë pjesë në beteja të ndryshme për çlirimin e Kosovës, një ndër ta ka qenë edhe Arben Sejdiu, familjar shumë i afërt i Bekim Sejdiut”, tha Quni.
Ai tha se përmes Arben Sejdiut kishte krijuar përshtypjen për angazhimin e familjes Sejdiu ndër vite, duke e lidhur atë me periudhat më të vështira nëpër të cilat kishte kaluar Kosova.
Quni tha se për të nuk ka pasur dilema për kandidaturën e Sejdiut, duke theksuar se ai vjen me një përvojë dhe trashëgimi familjare që, sipas tij, e bën të denjë për këtë pozitë.
“Kurrë nuk kam pasur hamendjet më të vogla se në këtë rast nga kjo familje, do me thënë, vjen Bekim Sejdiu me një bagazh të fuqishëm familjar, po ashtu edhe individual. Kështu që nuk kam asnjë mëdyshje unë edhe shokët e mi, miqtë e mi, të cilët, do me thënë, edhe ato që nuk kanë informata të mjaftueshme, në momentin kur i kuptojnë këto fakte, pajtohen edhe janë përkrahës që në të ardhmen ne ta kemi Bekim Sejdiun për president të Kosovës”, tha Quni.
Ai u shpreh i bindur se zgjedhja e Sejdiut president do ta bënte krenar vendin.
Osmani: Ne si LDK e kemi propozuar Sejdiun, kandidatura e tij i bën nder Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bekim Sejdiu ishte propozuar për postin e presidenti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Osmani para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se kandidatura e Sejdiut i bën nder të Kosovës dhe se ai plotëson gjitha kriteret për të cilat ishte vendosur unanimisht në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar.
“Përvoja e z. Sejdiu në të gjitha fushat ka qenë e jashtëzakonshme e gjithmonë, pa asnjë përjashtim të vetëm, ka qenë në interesin e Republikës së Kosovës...Jam e bindur se profesor Bekim Sejdiu si president i bën nder Kosovës. Ne si LDK e kemi propozuar. Besoj se kemi bërë shumë mirë. Ky është kontribut për Kosovën, nëpërmjet të cilit e vendosim interesin e vendit para çdo gjë tjetër”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se s’ka asnjë arsye që deputetët e LDK-së të mos e votojnë Sejdiun. Ajo ka thënë se Sejdiu ka qenë bashkëpunëtor ekspert i jashtëm që e ka këshilluar Presidencën gjatë mandatit të saj për çështje të ndryshme, përfshirë për relacionin me SHBA-në, për integrimin euroatlantik e po ashtu për ballafaqimet me Serbinë.
E pyetur nëse “LDK-ja po bie në kurth”, Osmani tha se “LDK-ja me krenarinë më të madhe e ka propozuar profesor Sejdiun”.
Sa i përket akuzave nga deputetë të LDK-së, përfshirë nga Avdullah Hoti, se nuk janë konsultuar paraprakisht, Osmani ka thënë se kështu janë procedurat në LDK.
“Njëherë arrihet dakordim në parim, e dimë se pa pasur dakordim të Grupit Parlamentar nuk shkojmë në Kuvendin e Kosovës. Jemi patuar në Grupin Parlamentar për të gjitha parimet dhe kriteret, ishte vendosur me unanimitet. Profesor Sejdiu i plotëson të gjitha kriteret”, tha Osmani.
Kryesia e LDK-së mbështet nominimin e Sejdiut, fton deputetët ta votojnë
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur nominimin e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe me procedurat e saj statutare.
Sipas LDK-së, marrëveshja politike e miratuar sot edhe në Kryesi synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe shmangien e një krize të re institucionale.
“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në njoftim thuhet se Sejdiu është vlerësuar si kandidat që i përmbush kriteret për ushtrimin e detyrës së presidentit dhe se përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në diplomaci përbën bazë për një ushtrim të pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së presidentit.
“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit; me theks të veçantë në orientimin tonë euroatlantik. Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me maturi, unitet dhe përgjegjësi, duke vendosur mbi të gjitha interesin e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë ka filluar të mblidhet Grupi Parlamentar i kësaj partie.
Manaj i bindur që edhe Hoti do të jetë pro Sejdiut për president
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, është shprehur i bindur që deputetët e kësaj partie do të votojnë pro kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të shtetit. Madje ai ka thënë se edhe deputeti Avdullah Hoti do të dalë për, pavarësisht se një ditë më herët u shpreh kundër.
“E kam dhënë edhe dje qëndrimin, mendoj që Bekim Sejdiu është figura e duhur për president të Republikës. Ky qëndrim për kandidat konsensual për president të Republikës ka ndodhur pas mbledhjes së grupit parlamentar javën e kaluar, dhe jam i bindur që edhe sot Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të gjitha organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për kandidaturën e zotit Bekim Sejdiu për president të Republikës”, ka deklaruar Manaj para mbledhjes së Kryesisë së partisë.
I pyetur për qëndrimin kundër të Hotit, Manaj ka thënë se pret që edhe ai ta mbështetë Sejdiun.
“Unë jam i bindur se edhe zoti Hoti do të jetë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sepse zoti Bekim Sejdiu mendoj që është figura e duhur duke qenë dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, diplomat me karrierë, përfaqëson do të thotë të gjitha kriteret që i duhen presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, por edhe të udhëheqjes së politikës së jashtme dhe çka është më e rëndësishmja, të ruajtjes së unitetit të popullit”, deklaroi Manaj.
Manaj ka mohuar edhe raportimet se disa deputetë të LDK-së do të krijojnë grup të veçantë parlamentar.
Lushaku: Abdixhiku ka qenë i autorizuar i LDK-së për të negociuar për presidentin
Deputetja e Lidhjes Demokratike, Jehona Lushaku, ka thënë se kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, ka qenë i autorizuar për të negociuar për çështjen e presidentit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në nisje të mbledhjes së Kryesisë, pasi LDK-ja dhe VV-ja dolën me propozimin që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president, Lushaku është zotuar për votë pro tij.
“Kemi autorizuar kryetarin dhe ekipin për të negociuar. I kanë pasur autorizimet e plota për propozime dhe për të diskutuar emrat. Tash po i diskutojmë në rreth më të gjerë. Është zhvillim normal...”, ka thënë ajo për mbledhjen e kryesisë.