Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 240 ankesa ndaj operatorëve kabllorë më 2022

Më shumë se 240 raste të ankesave të qytetarëve ndaj operatorëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike (kabllore televizive dhe internetit) janë regjistruar në vitin 2022 deri tash, ka njoftuar Njazi Shala nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ankesat janë bërë kryesisht për faturim të padrejtë, shërbime jocilësore, praktika mashtruese e mospërfillje të kontratës. Në tryezën “Konsumatorët në tregun e telekomunikimeve”, të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), u tha se për fushën e shërbimeve të komunikimeve elektronike numri i përgjithshëm i ankesave mund të arrijë qindra-mijëra ankesa.

Shala ka akuzuar Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për mostrajtim të ankesave të caktuara dhe në mënyrë të duhur. Sipas tij, 50 për qind e ankesave s’janë trajtuar nga ARKEP-i.

“Ankesat që i kemi pranuar, i kemi ndarë këto kategori, për faturim të padrejtë, mos përfillje të kontratës, shërbime jocilësore dhe praktika mashtruese. Për të gjitha këto kemi pasur 243 ankesa nga janari i vitit 2022”, ka thënë ai.

Lule Ahmeti nga ARKEP-i ka thënë se janë marrë hapat e nevojshëm për adresimin dhe trajtimin e ankesave. Sipas saj, është e padrejtë të thuhet se ARKEP-i s’i trajton ankesat e caktuara.

Edhe Ankesat e pacientëve, publiku me mungesë e vonesë shërbimesh, privati me cilësi të kontestuar Arbëri Ankesat e pacientëve, publiku me mungesë e vonesë shërbimesh, privati me cilësi të kontestuar

“Ne kemi adresuar çështjet që ka ankesa, të cilat gabimisht kategorizohen si ankesa që duhet ARKEP t’i trajtojë. Në fakt me ligjet në fuqi, ka ankesa të cilat gabimisht kanalizohen si ankesave të fushave që i mbulojmë, e në fakt janë fusha audio-vizuele. Është informim jo i drejtë se ARKEP-i nuk i trajton ankesat e caktuara”, ka thënë ajo.

Hulumtuesi i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore(INDEP), Dardan Abazi është shprehur i bindur se numri i përgjithshëm i ankesave në sektorin e komunikimeve elektronike arrin qindra-mijëra.

“Sektori me rritjen më të madhe të ankesave ka qenë sektori i komunikimeve elektronike për shërbime televizive, internetit dhe telefonisë mobile. Kështu që gjithnjë e më shumë ka pasur rritje të ankesave, ku vetëm në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorëve janë 241 ankesa që sivjet kanë shkuar për këto shërbime. Një numër të ngjashëm e kemi marrë dhe institucione të tjera rregullative. Edhe kompanitë – operatorët jam i bindur që marrin me qindra mijëra ankesa për këto shërbime në këtë treg”, ka thënë Abazi.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Driton Hyseni, duke theksuar se Ligji për komunikimet elektronike po zbatohet në tërësi, ka theksuar se është vërejtur nevoja për plotësim-ndryshimin e Ligjit me disa amendamente.

Megjithatë, ai ka shtuar se Komisioni ka vërejtur një tendencë të rritjes së ankesave nga viti në vit. Teksa ka shtuar se ka besueshmëri ndaj Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për shqyrtimin e tyre.

Edhe Konsumatorët, të pambrojtur Arbëri Konsumatorët, të pambrojtur

“Ne si komision sidomos tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kemi vërejtur një tendencë tani në rritje të ankesave në vitin 2021 në raport me vitin 2020, por sidomos edhe në vitin 2022 në raport me vitin paraprak. Tani i kemi dy anë, në njërën anë mund të themi që ka një ulje të nivelit të shërbimeve, por në anën tjetër ka edhe besueshmëri të klientëve në ARKEP për trajtimin e ankesave”, ka thënë ai.

Edhe Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar dhjetëra ankesa nga konsumatorët./KP