Arbëri

Mbi 100 inspektorëve të angazhuar gjatë pandemisë u përfundon kontrata

Kontratat e rreth 120 inspektorëve të angazhuar në kohën e pandemisë kanë përfunduar, por ata dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kërkuar që t’u vazhdohen, pasi në Kosovë nuk ka numër të mjaftueshëm të tyre për të siguruar kontroll në fusha të ndryshme në terren. Në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila kishte bërë kontraktimin e tyre, kanë thënë se nuk ka ende ndonjë vendim për ta

Që nga përhapja e pandemisë në Kosovë, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të masave antiCOVID, Ministria e Shëndetësisë kishte angazhuar mbi 100 inspektorë sanitarë.

Por në ditët e para të qershorit, kontrata e këtyre mbikëqyrësve të zbatimit të ligjeve në tërë territorin e Kosovës ka përfunduar. Ky numër i inspektorëve ende nuk është informuar për mundësinë e vazhdimit apo mosvazhdimit të angazhimit të tyre.

Disa prej tyre që nuk kanë pranuar të flasin me emër nga frika se do të penalizohen, nën kushte anonimiteti kanë treguar se kanë bërë vazhdimisht kërkesa për vazhdim të kontratës.

“Tash bëhen dy vjet që ne si staf jemi të angazhuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe përveç COVID-it, kemi punuar edhe në inspektime të rregullta higjieno-sanitare vazhdimisht në bazë të urdhrave nga drejtuesit e AUV-it. Gjatë tërë kësaj kohe, ne nuk jemi paguar asnjëherë shtesë për orët që kemi punuar. Po ashtu, përveç pagesës, nuk kemi përfituar asgjë nga Qeveria me arsyen se jemi staf emergjent dhe nuk përfshihemi në listën e pagave. Duke pasur parasysh kërkesën e vazhdueshme nga AUV-i për shtimin e inspektorëve sepse janë në numër shumë të paktë inspektorët e rregullt, dhe duke u nisur nga nevoja që ne kemi parë nga terreni, shpresojmë shumë që kërkesat tona të merren parasysh nga përgjegjësit”, ka thënë një inspektor.

Se nuk ka ende ndonjë vendim për inspektorët e angazhuar gjatë pandemisë, e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Për ballafaqim me pandeminë COVID-19, me qëllim të rritjes së kapaciteteve monitoruese dhe mbikëqyrëse për zbatimin e masave antiCOVID-19, janë angazhuar 110 inspektorë sanitarë të shpërndarë në komuna të ndryshme të vendit, me kontrata për periudha të kufizuara kohore. Nuk ka ende ndonjë vendim për vazhdimin ose mos-vazhdimin e kontratave të tyre”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

E në AUV kanë thënë të kenë pasur vetëm 10 inspektorë sanitarë aktivë para se të angazhoheshin inspektorët e rinj.

“MSH-ja ka angazhuar një numër prej rreth 120 inspektorëve të cilët nga dita e parë e kontratës kanë punuar në terren në të gjithë RKS-në, me qëllim që të bëhet mbikëqyrja e zbatimit të masave dhe të ruhet apo të mbahet nën kontroll situata me pandeminë dhe këta bashkërisht me Policinë kanë qenë njerëzit kryesorë të cilët e kanë menaxhuar situatën e COVID-it. Gjithmonë po flasim si masë parandaluese të përhapjes përmes mbikëqyrjes së zbatimit të masave e kanë ndihmuar shumë edhe autoritetin, por edhe shtetin dhe qytetarët që të menaxhohet situata me pandeminë”, ka thënë zyrtari për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Thaçi ka treguar se vazhdimisht kanë bërë kërkesë për shtim të numrit të tyre.

“Dhe përsëri kemi mungesa të numrit të inspektorëve të cilët do të ishin shumë të nevojshëm që ne të kemi rezultate edhe më të mira në fushën e kontrollit, të shëndetit bimor, të shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në nivel vendi”, ka thënë ai.

Këta inspektorë së bashku me infermierët dhe stafin tjetër shtesë, deri vonë kishin telashe edhe me ekzekutimin e pagave për tre muaj. Të hënën, Qeveria e Kosovës ndau mbi 1.7 milion euro për pagat e stafit mbështetës.