Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Mbështetje modeste” në Kosovë për korrigjimin e kufirit me Serbinë

Një mbështetje modeste si tek shqiptarët, ashtu edhe serbët e Kosovës ka ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë, me kusht që kjo të sjellë njohje globale, sipas gjetjeve të Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Sipas sondazhit të këtij instituti, rreth 30 për qind e shqiptarëve dhe 40 për qind e serbëve të Kosovës e mbështesin një gjë të tillë, transmeton KOHA.

“Sikurse në sondazhin e parë dhe të dytë ekziston një mbështetje modeste në të dy komunitetet për korrigjimin e kufirit me Serbinë, me kusht që kjo të sjellë njohje globale, edhe pse përkrahësit për këtë skenar mbizotërohen nga ata që e kundërshtojnë”, është konkluduar përmes sondazhit.

Sondazhi i Rideas është bërë me 1107 respondentë, 90 për qind të të cilëve shqiptarë, tetë për qind serbë dhe 2 për qind nga grupe tjera etnike. Është ky sondazhi i tretë, i mbajtur në fund të muajit janar, gjatë të cilit përsëriten shumë pyetje të sondazhit të parë, të dhjetorit të 2018-tës dhe majit të 2019-tës. Prezantimi i tij është bërë të marten.

“Në rastin e skenarit të tretë, korrigjimi i kufirit në këmbim të njohjes globale, ka një mbështetje prej (30%) nga komuniteti shqiptar dhe më shumë nga komuniteti serb (40%). Vihet re se mbështetja për këtë skenar nuk ka ndryshuar substancialisht në mesin e shqiptarëve, por është rritur substancialisht në mesin e serbëve”, shkruhet në raport.