Sot është mbajtur simpoziumi i parë i kirurgëve të fëmijëve shqiptarë me pjesëmarrje ndërkombëtare, që për qëllim ka shkëmbimin e përvojave ndërmjet kirurgëve të fëmijëve.
Më shumë se 80 pjesëmarrës kanë ndarë përvojat e tyre në temat që janë trajtuar siç është kirurgjia neonatale, kirurgjia abdominale, kirurgjia terakale pediatrike, urologjike dhe trauma e fëmijëve.
Pjesëmarrësit e këtij simpoziumi të parë kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania.
Në hapje të këtij simpoziumi ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili ka thënë se krahas investimeve që janë duke bërë në përmirësimin e kushteve të punës e rëndësishme është edhe investimi në personelin shëndetësor.
Ismaili ka premtuar që edhe në të ardhmen të organizohen simpoziume të tilla, derisa ka bërë thirrje që të shtyjnë investimet sa më shumë në kapacitetin njerëzor.
Edhe
Kirurgjia e fëmijëve ka nevojë për kirurgë
Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Murat Berisha, ka treguar se si kanë ardhur deri tek ideja për organizimin e këtij simpoziumi.
Këtë simpozium të rëndësishëm e ka quajtur edhe drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, i cili tha se vetëm fakti i pjesëmarrjës ndërkombëtare e bënë të rëndësishëm.
Ai ka uruar që simpoziume të tilla të bëhen një traditë, pasi sipas tij është shumë e rëndësishme për kirurgët vendor, transmeton ksp.
Ndërsa, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se kjo është konferenca e tretë që e kanë financuar, derisa ka njoftuar se në planin e tyre janë edhe 10 të tjera.
Një nga pjesëmarrësit e këtij simpoziumi ka qenë edhe Emir Haxhija kirurg që punon në Graz të Austrisë, i cili ka thënë se janë munduar që ta prezantojnë kirurgjinë pediatrike ashtu siç aplikohet në shtetet e zhvilluara.
Edhe
Pediatër e onkologë të Kosovës shkëmbejnë përvojat me ata ndërkombëtarë
Në kuadër të simpoziumit, Shoqata e Kirurgëve të Fëmijëve kanë nderuar me mirënjohje dy profesorët Hysen Heta dhe Sadik Llullakun për kontributin e tyre në edukimin e kirurgëve pediatrik dhe zhvillimin e kirurgjisë pediatrike në trojet shqiptare.
Simpoziumi është organizuar me përkrahje të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.