Ministria e Arsimit nuk e ka ende një plan konkret mbi ndryshimet e nevojshme legjislative për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve në nivel vendi. Procesi i ngecur shkaku i pandemisë pritet që të rinisë sivjet, porse problem për këtë po përbën numri i vogël i inspektorëve të arsimit. E vetë mësimdhënësit e kategorizojnë vlerësimin si një hap drejt avancimit të tyre profesional
Vetëm një mësuese në shkollën fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe i është nënshtruar vlerësimit të gjithmbarshëm të performancës së mësimdhënësve në vend, që nga nisja e këtij procesi më 2018.
Inspektorati i Arsimit e kishte njoftuar Zyrafete Shabanin pesë ditë përpara mbi hospitimin e vitit 2019, që ia përtëriu licencën.
Katër vjet pas kësaj, ajo e shpjegon procesin të cilit i ishte nënshtruar.
“Është dashur që të përcaktohemi në një lëndë. Për shembull, unë kam marrë lëndën e gjuhës shqipe dhe kam zgjedhur një temë. Brenda kësaj teme është dashur që t’i përgatit shtatë plan-programe dhe një test brenda asaj teme. Këto i kam dërguar tek inspektorja dhe ajo i ka vlerësuar. Më pas ka ardhur për vëzhgim në orë”, është shprehur Berisha.
Për dallim prej saj, vlerësimit nuk u janë nënshtruar me mijëra mësimdhënës të tjerë, disa prej të cilëve e shohin këtë si një mundësi për avancim në karrierë.
“Si mësues me përvojë 15-vjeçare dhe si koordinator i shkollës, fatkeqësisht asnjëherë nuk i jam nënshtruar ndonjë vlerësimi të performancës nga ana e inspektorëve të Ministrisë së Arsimit. Duhet përjashtuar rastin kur disa zyrtarë të USAID-it, me një program të veçantë që ka qenë para disa vjetëve”, ka thënë Fidan Hasani, mësimdhënës në shkollën “Bajram Curri”.
Ai thotë se në shkollën ku punon aktualisht bëhet vetëm vlerësimi i brendshëm, që udhëhiqet nga drejtori dhe koordinatori i shkollës.
E Florim Maloku, drejtori i shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, e konsideron të nevojshëm këtë vlerësim për krijimin e një pasqyre të qartë mbi nivelin e shkollës.
“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve në shkollën tonë është bërë vetëm për tetë mësimdhënës dhe është ndërprerë procesi i vlerësimit të performancës së tyre. Shkaku dihet se është mungesë e inspektorëve të arsimit. Komuna e Gjilanit i ka vetëm tre inspektorë, jo veç komuna, por edhe regjioni i Anamoravës”, pohoi Maloku.
Mbi kredibilitetin e vlerësimit, kritika ishin adresuar më herët nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti. Rishikim të procesit, qysh në fillim të detyrës, kishte premtuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Procesi kishte stagnuar shkaku i pandemisë, ndërsa pritet që të rinisë sivjet. Por në Ministrinë e Arsimit ende nuk është bërë ndonjë plan konkret se si do të mund të ndryshohej mënyra e vlerësimit.
Zëvendësministri Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur më herët se legjislacioni aktual është vështirë i zbatueshëm, pasi që e kërkon përfshirjen e drejtpërdrejtë të inspektoratit.
E në Ministri të Arsimit është përllogaritur se aktualisht janë rreth 40 inspektorë, për rreth 23 mijë mësimdhënës.
Lidhur me ndryshimet e mundshme në udhëzimin administrativ, Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve është paralajmëruar që të mbajë takime gjatë së martës dhe së mërkurës me grupet punuese.
Pjesë e tyre është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, ka thënë se do të kërkohet që vlerësimi të bëhet pa paralajmërim nga inspektorati dhe që mësimdhënësit të gradohen në bazë të performancës së tyre.
“Ne do të takohemi të martën dhe të mërkurën me Këshillin për t’i dhënë rekomandimet e tona se si duhet të ndryshohet ky legjislacion. Ne kemi në plan t’ua rekomandojmë që inspektorati të bëjë hospitime pa paralajmërim çdo herë, e jo si tani që është e paraparë që hospitimet të bëhen me paralajmërim dhe vetëm në raste të veçanta apo të rralla pa paralajmërim. Kështu mund ta kuptojmë nivelin e çdo mësimdhënësit dhe pastaj mund ta rekomandojmë të ndjek trajnimet e nevojshme”, ka deklaruar Jasharaj.
Legjislacioni aktual e parasheh që mësimdhënësit t’i nënshtrohen vlerësimit të brendshëm si dhe atij të jashtëm.