Arbëri

MASHTI nis xhirimin e mësimeve që do të transmetohen online

Lakimi i emrave të gjinisë femërore është njësia që e ligjëruar prej një mësimdhënëseje të klasës së pestë. Kjo njësi bashkë me njësitë e lëndëve të tjera kanë nisur të xhirohen të martën në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë, në kuadër të mësimit online, pas pezullimit të procesit arsimor për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ministrja Hykmete Bajrami ka vizituar mësimdhënësit gjatë kohës sa po realizoheshin këto video-incizime, me ç’rast ka treguar se fillimisht po xhirohen mësimet për klasat 1 deri në 5.

Ajo ka bërë të ditur se brenda 3 - 4 ditësh mësimet do të transmetohen në një uebfaqe që do të krijohet nga MASHT-i dhe në Radiotelevizionin Publik të Kosovës, raporton KOHA.

Bajrami ka thënë se u kanë bërë kërkesë operatorëve të telefonisë mobile, Vala dhe IPKO- që edhe familjeve të cilat nuk kanë qasje në internet t’iu ofrohet shërbimi online pa pagesë në uebfaqen që do të krijohet për mësim online.

Për realizimin e këtij mësimi për klasat 1 deri në 9, MASHT-i planifikon t’i angazhojë rreth 150 mësimdhënës, ndërkaq për klasat 10 deri në 12 nuk është vendosur ende.

Të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në këtë proces do të jenë nga Prishtina, për shkak të lëvizjes më të lehtë dhe qasjes në shkollën ku do të bëhen xhirimet.

Gjatë takimit me mësimdhënës, zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka dhënë informacione rreth mësimit online ku ka treguar se në video do të jepen edhe sqarime për njësitë mësimore dhe detyrat e shtëpisë.

Ndërkaq zëvendësministri, Xhavit Rexhaj, ka deklaruar se të gjitha materialet do të jenë në përputhje me Kornizën Kurrikulare të Kosovës.

Mësimi online ka filluar edhe në Universitetin e Prishtinës përmes dy platformave “Google Meet” dhe “Google Clasroom”. Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyqi, ka bërë të ditur se ligjëratat do të jenë të obligueshme.

Javën e kaluar, Qeveria ka marrë vendim ta pezullojë procesin mësimor deri më 27 mars për të gjitha nivelet, si masë mbrojtëse nga COVID-19.