Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MASHT thotë të jetë përgatitur për testin PISA

Ministria e Arsimit thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me nxënës në tërë vendin për t’iu nënshtruar testit të PISA-s, raporton KTV. Sipas ministrit Shyqiri Bytyqi, bazuar në punën e deritashme, Kosova do të jetë bindshëm më mirë.

po ofrohet koha e mbajtjes së testit ndërkombëtar të cilësisë në arsim, PISA, njeriu i parë i arsimit, Shyqiri Bytyqi, është i bindur se Kosova do të zë një vend shumë më të mirë sesa në vitin 2015.

Madje, sipas tij, vendi ynë do të jetë shembull në PISA 2018, kjo si rezultat siç thotë ministri, i punës jashtëzakonisht të madhe që është bërë bashkë me nxënësit dhe mësimdhënësit.

I pyetur nga gazetarët se kush do të ishte përgjegjësi në rast se parashikimi i tij nuk do të dilte i saktë, Bytyqi tha se nuk dëshiron as të mendojë për këtë gjë.

Edhe Skënder Susuri, kryesues i komisionit për PISA 2018, ka thënë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme që rezultatet të jenë të kënaqshme.

Ndërkaq, përfaqësuesi nga GIZ-i, i cili ka ndihmuar në përgatitjen e këtij testimi, Ruben Faller, tha se PISA ka treguar qartë që Kosova po përballet ende me sfida në arsim.

Sipas tij, nxënësit në Kosovë nuk janë të përgatitur për të hyrë në tregun e punës.

“Nxënësit në Kosovë nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme për të hyrë në tregun e punës. Të gjitha palët duhet të bëjnë maksimumin që të përmirësojnë arsimin në Kosovë , pasi që PISA 2018 do të jetë matës i rëndësishëm.”

Sidoqoftë, testit PISA, i cili do të nisë nga 11 prilli, e që do të zgjasë deri më 5 maj, do t’i nënshtrohen 5370 nxënës nga 211 shkolla në mbarë vendin.

 

Artikuj të ngjashëm