Arbëri

Marrëveshjet për bashkëpunim rajonal, peng i dialogut

Bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u ndikuar nga ecuria e dialogut Kosovë-Serbi. Si rezultat i mungesës së progresit në këtë aspekt, sipas njohësve të dialogut e bashkëpunimit rajonal, Kosova dhe Serbia nuk janë duke arritur të merren vesh për çështje që ndikojnë në jetën e qytetarëve të tyre, e rrjedhimisht edhe të krejt vendeve të Ballkanit. Për problemet me Serbinë në këtë aspekt, kryeministri Albin Kurti i ka fajësuar qeverisjet e kaluara

Kërkesat e Serbisë që në marrëveshjet rajonale me vendet e Ballkanit Perëndimor të mos përdoren fjalë që aludojnë në shtetësinë e Kosovës, janë duke bërë që të dështojë nënshkrimi i tyre. Kjo pas refuzimit të Kosovës për të bërë një gjë të tillë.

Sukseset në bashkëpunimin rajonal mes dy shteteve, janë duke u konsideruar të vështira për t’u arritur, derisa Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje përfundimtare, nga procesi i dialogut që po zhvillohet tash e sa vjet.

Në prag të Samitit të Sllovenisë, që do të mbahet më 6 tetor, pezull ka mbetur nënshkrimi i katër marrëveshjeve: ajo për çështjen e kualifikimeve akademike, e atyre profesionale, e lëvizjes me kartë të identitetit e të kalimit të lirë nga vendet e treta.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Bodo Weber, ka thënë se është skeptik lidhur me rezultatin e Samitit të Sllovenisë. Sipas tij, në këtë Samit mund të ketë ndonjë marrëveshje ndërmjet vendeve, por jo të ndonjë rëndësie që vlen për t’u theksuar, e me të cilën do të vërehej ndonjë ndryshim.

Weberi ka thënë se ngecjet në dialog janë të lidhura ngushtë me ato në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk mendoj që është e mundur për Kosovën dhe Serbinë të kenë progres substancial në korniza të bashkëpunimit rajonal, derisa nuk i marrin më seriozisht bisedimet në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe të bëjnë progres në këto bisedime”, ka thënë analisti gjerman.

Në anën tjetër, Besnik Vasolli, njohës i zhvillimeve në rajon, ka thënë se nga mungesa e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit më së shumti janë duke u dëmtuar qytetarët. Sipas tij, një gjë e tillë nuk pritet të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë. Kjo pasi, siç ka thënë Vasolli, “bashkëpunimi rajonal i vendeve, të cilat kanë qenë armike për një kohë të gjatë, është i vështirë dhe kërkon kohë”.

“Po të mos merreshin me aspektin politik, por të merreshin vetëm me aspektin njerëzor, ekonomik, social, atëherë do të shihnin shtetet e rajonit rëndësinë edhe peshën që e ka bashkëpunimi rajonal dhe ndikimin që do të mund ta kishte edhe në jetën qytetarëve të të gjithë banorëve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për mungesën e bashkëpunimit rajonal. Ndonëse ka thënë se për marrëveshjet rajonale, problemet janë më shumë formale sesa substanciale, sipas tij, për një gjë të tillë, janë fajtore edhe qeverisjet e kaluara.

“Fatkeqësisht, Serbia insiston që koncesionet që i ka fituar ajo në Bruksel nga qeveritë paraprake t`i përdorë në secilin dokument rajonal dhe në këtë mënyrë po i vendos në një pozitë të vështirë komplet pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e të cilat kur po dalin me deklarata të përbashkëta, po dalin si nuk bëhet fjalë për shtete”, ka thënë Kurti, në një konferencë për media, kur është pyetur për gjasat që të nënshkruhen marrëveshjet në kuadër të iniciativave rajonale.

Sipas kreut të Qeverisë, nga Serbia ekziston tendenca që iniciativat rajonale të mos realizohen, si rezultat i problemeve bilaterale që kanë me Kosovën.

“Me Qeverinë e Republikës së Kosovës që e udhëheq unë, natyrisht nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër i atyre qeverive të mëhershme. Unë besoj që nëse kemi probleme bilaterale, ato duhet të tejkalohen në marrëveshje multilaterale, të iniciativave rajonale e jo problemet bilaterale t’i shkatërrojnë edhe iniciativat rajonale”, ka thënë Kurti.