Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, në nëntorin e vitit të kaluar, nuk po gjen zbatim të plotë. Megjithëse marrëveshja i detyron palët që të kthejnë përgjigje brenda 15 ditëve, institucionet kompetente në Shqipëri nuk po e respektojnë këtë afat. Vonesat janë kryesisht për diplomat e universiteteve private në Shqipëri, disa prej tyre të mbyllura tashmë
Marrëveshja e nënshkruar në nëntor të vitit 2021, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për njohjen e diplomave, nuk është duke u zbatuar plotësisht.
Afati i paraparë prej 15 ditësh për kthimin e një përgjigjeje palëve për njohjen e diplomave, nuk po respektohet nga institucionet kompetente në Shqipëri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Qendrës Kombëtare për Njohjen e Diplomave “NARIC Kosova”, janë mbi 30 diploma të fituara nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri që kanë mbetur pezull, si rezultat i vonesave në përgjigje.
“Numri i diplomave të fituara në Shqipëri, e që ende janë në proces është 50. Dymbëdhjetë nga ato janë brenda afatit ligjor, ndërsa për 38 diplomat e fituara në universitete (tashmë v.j.) të mbyllura me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ende nuk kemi arritur të sigurojmë përgjigje konform Udhëzimit Administrativ 12/2018. Arsyet janë si rezultat i vonesave në përgjigje nga Shqipëria, ose përgjigjeve jo të plota. Vlen të theksohet se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, kryesisht vonesat janë për universitetet e mbyllura në Shqipëri në vitin 2014, e që sipas autoriteteve të Shqipërisë, janë duke punuar intensivisht që të na sigurojnë përgjigje sa më parë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.
Nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), që monitoron punën e Qendrës “NARIC Kosova”, kanë thënë se institucionet e Shqipërisë shpeshherë kanë kthyer përgjigje të paqarta rreth vlefshmërisë së diplomës, veçmas për diplomat e fituara në universitetet private në Shqipëri.
Hulumtuesja në ORCA, Liridona Ademaj, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së re nuk është në nivelin e duhur.
“Po pavarësisht që marrëveshje të tilla ka pasur edhe viteve të tjera, edhe nga qeveri të tjera, kryesisht kanë qenë të dhënat e njëjta, kërkesat e njëjta ndërshtetërore të themi ashtu, pra marrëveshjet janë, por nuk po zbatohen, po vazhdohet në formën e njëjtë dhe më së shumti natyrisht pësojnë kandidatët që iu nevojitet ajo diplomë për njohje që të fillojnë të punojnë diku apo për çfarëdo arsye tjetër”, ka thënë ajo.
Megjithëse dy shtetet janë të obliguara të përdorin të njëjtin formular, në disa raste Qendra për Shërbimin e Arsimit në Shqipëri ka ndryshuar formularin, duke shtuar një rubrikë ku shënohej “Vërejtje: MASR nuk është përgjegjëse për vërtetësinë e të dhënave në këtë formular”.
“Problemet më të mëdha janë kryesisht për shkak të diplomave që vijnë nga universitetet private atje, për shkak të marrëveshjeve që i kanë bërë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri kanë pasur një formular të njëjtë që është dashur ta përdorin në mënyrë që ta lehtësojnë të themi procesin e njohjes së diplomave. Por në diplomat që vijnë nga universitete private atje, është ndryshuar formulari, është shtuar një rubrikë në të cilën është shënuar ‘Vërejtje: MASR nuk është përgjegjëse për vërtetësinë e të dhënave në këtë formular’. Këto dokumente që po vijnë në Qendër nuk po arrijnë të marrin njohje pozitive për shkak se kjo fjali ka kuptime të shumta”, ka thënë ajo.
Sipas Ademajt, kjo vërejtje nuk po ofron siguri se po njihet prej shtetit ku është marrë kjo diplomë.
“Ka raste të tilla që kanë mbetur pezull për shkak të përgjigjeve kontradiktore që po vijnë nga Ministria e Arsimit atje”, ka thënë Ademaj.
Mirëpo, nga MASHTI kanë thënë se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re, nuk kanë pranuar formular me një koment të tillë.
KOHA tentoi të marrë një arsyetim edhe nga Ministria e Arsimit në Shqipëri për shkaqet e mosrespektimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes, mirëpo deri në publikimin e lajmit, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Në marrëveshjen e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, dy qeveritë kishin deklaruar se synojnë që ta zgjerojnë këtë marrëveshje edhe me njohjen reciproke të kualifikimeve në fushën e profesioneve të rregulluara.
Marrëveshje e memorandume ishin nënshkruar edhe në vitet paraprake për lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave ndërmjet dy shteteve shqiptare. Në vitin 2015 ishte nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Isa Mustafës dhe të Edi Ramës për njohjen reciproke të diplomave, mirëpo nuk ishte zbatuar plotësisht, kryesisht shkaku i problemeve në sigurimin e përgjigjeve për vlefshmërinë e diplomave.